Ruhan Zymberi pensionohet me dinjitet, një jetë në shërbim të arsimit, përkushtimit dhe respektit njerëzor
Gjilan – Me emocione të veçanta dhe mirënjohje të thellë ndaj kolegëve dhe institucionit ku shërbeu për vite me radhë, Ruhan Zymberi ka shënuar përmbylljen e karrierës së tij profesionale, duke përcjellë një mesazh prekës falënderimi me rastin e pensionimit.
Në fjalën e tij, Zymberi ka vlerësuar bashkëpunimin, respektin dhe mbështetjen që ka marrë gjatë viteve të punës, duke e cilësuar si nder dhe privilegj faktin që ishte pjesë e një kolektivi ku, sipas tij, u ndanë sfida, suksese dhe kujtime të paharrueshme.
Ai theksoi se nga secili koleg ka marrë motivim dhe përkrahje për ta ushtruar me përkushtim profesionin e drejtorit.
“Po largohem nga puna aktive me emocione të veçanta, por me zemër plot mirënjohje për të gjitha momentet e mira që kemi kaluar bashkë”, është shprehur ai, duke falënderuar kolegët për korrektësinë, mirëkuptimin dhe atmosferën e ngrohtë që, sipas tij, e bënë pjesë të rëndësishme të jetës profesionale.
Në mesazhin e tij, Zymberi u ka uruar kolegëve shëndet, suksese dhe mbarësi në jetën profesionale e personale, ndërsa ka shprehur dëshirën që institucioni arsimor të vazhdojë rrugën e rezultateve dhe bashkëpunimit të ndërsjellë.
Pensionimi i tij shënon fundin e një kapitulli të rëndësishëm në arsim, por njëkohësisht lë pas një trashëgimi respekti, profesionalizmi dhe përkushtimi njerëzor./rajonipress/


