“Mos e ngatërroni durimin me dobësi” – Mesazhi i fortë i Behgjet Pacollit ndez reagime
Ish presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka publikuar një reflektim simbolik dhe filozofik në rrjetet sociale, i cili është komentuar gjerësisht si një mesazh i drejtpërdrejtë ndaj kritikëve dhe kundërshtarëve politikë.
Në postimin e tij, Pacolli rrëfen historinë e një “mize” që gjithë jetën qëndronte mbi shpinën e një “bualli”, duke e provokuar vazhdimisht me zhurmë dhe pickime, derisa në fund mendonte se kishte arritur ta lodhte dhe ta ndalte atë. Por përgjigjja e buallit në fund të rrëfimit bart mesazhin kryesor të postimit:
“Ti vetëm po e ngatërron durimin tim me zhurmën tënde.”
Ky mesazh është interpretuar si një reagim i qartë i Pacollit ndaj sulmeve, kritikave dhe zhurmës politike që e kanë shoqëruar ndër vite figurën e tij publike. Përmes një metafore të thjeshtë, ai ka zgjedhur të paraqesë veten në rolin e njeriut të qetë dhe të durueshëm, ndërsa kritikët si zëra të vegjël që kërkojnë vëmendje përmes provokimit.
Postimi është shpërndarë dhe komentuar shumë nga ndjekësit e tij, të cilët e kanë konsideruar si një mesazh me peshë politike dhe personale, sidomos në një periudhë të tensionuar të debatit publik në vend./rajonipress/


