Pacolli shpërthen për Aeroportin e Vlorës: “Mund ta marrin aeroportin me polici, por nuk mund të marrin dinjitetin e njerëzve që e ndërtuan”
Në një reagim të gjatë dhe emocional nga Astana, biznesmeni dhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka folur ashpër për zhvillimet e fundit rreth Aeroportit të Vlorës, duke akuzuar strukturat shtetërore për ndërhyrje të padrejtë dhe përdorim të forcës ndaj kompanisë së tij, MABCO.
Pacolli ka treguar se gjatë ditës është kontaktuar nga një gazetar nga Shqipëria, i cili e kishte pyetur se çfarë do të ndodhte pas ndërhyrjes së Policisë së Shtetit në aeroport. Në përgjigjen e tij, ai ka deklaruar se objektet që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) i kishte ndarë më 24 gusht për t’u përfunduar nga MABCO, tashmë janë kryesisht të përfunduara.
Sipas tij, që nga muaji mars, kompania kishte realizuar punimet finale, pastrimin e objekteve dhe rregullimin e gjelbërimit përreth aeroportit, duke pritur vetëm përmbushjen e obligimeve nga kompania VIA.
Pacolli theksoi se Aeroporti i Vlorës është ndërtuar ekskluzivisht me kapitalin e tij financiar, duke bërë të ditur se mbi 310 milionë euro janë investuar ose angazhuar në formë garancish bankare. Ai pretendon se vetëm kompania e udhëhequr nga Valon Ademi ka përfituar mbi 35 milionë euro nga garancioni i MABCO-s.
Në deklaratën e tij, Pacolli u shpreh se nuk dëshiron përplasje me shtetin, por ngriti akuza të rënda për mënyrën se si, sipas tij, po përdoret pushteti institucional.
“Aeroportin le ta marrin. Nuk dua të luftoj me shtetin. Por mënyra se si po përdoret kjo fuqi është joligjore dhe e papranueshme për një vend që pretendon të jetë shtet ligjor,” është shprehur ai.
Ai shtoi se koha do të tregojë se çfarë ka ndodhur realisht dhe kush qëndron pas vendimeve që, sipas tij, kanë cenuar rëndë jo vetëm interesin ekonomik të kompanisë, por edhe besimin në shtetin ligjor.
Një pjesë e rëndësishme e reagimit të Pacollit lidhej me fatin e punëtorëve dhe nënkontraktorëve të përfshirë në projekt. Ai siguroi se çdo obligim financiar ndaj tyre do të shlyhet “deri në centin e fundit”, ndërsa ekspertët dhe stafi teknik do të angazhohen në projekte të tjera ndërkombëtare.
Megjithatë, sipas tij, dëmi më i madh nuk është financiar.
Pacolli foli me tone të ashpra për atë që e quajti “cenim të dinjitetit njerëzor” të punëtorëve që kanë ndërtuar aeroportin.
“Në kantier kanë mbetur instrumentet e punës, pajisjet personale, materialet, kasafortat dhe dokumentacioni i njerëzve që kanë punuar aty me vite. Mbi të gjitha është cenuar dinjiteti i atyre që kanë dhënë djersën, profesionalizmin dhe një pjesë të jetës së tyre për këtë projekt,” deklaroi ai.
Sipas Pacollit, çështjet financiare mund të zgjidhen me kohë nëpërmjet institucioneve dhe ligjit, por dëmi që i bëhet besimit te shteti dhe imazhit të Shqipërisë para investitorëve ndërkombëtarë është shumë më i rëndë dhe afatgjatë.
Në fund të reagimit të tij, ai tha se do të vazhdojë të mbrojë interesin e punëtorëve dhe parimin që shteti duhet të jetë garantues i ligjit dhe jo instrument presioni ndaj atyre që investojnë dhe ndërtojnë.
Deklarata e Pacollit pritet të rrisë më tej tensionet dhe debatin publik rreth menaxhimit të projektit të Aeroportit të Vlorës, një prej investimeve më të mëdha infrastrukturore në rajon./rajonipress/


