Shkolla “Esat Berisha” në Llashticë shënoi 80-vjetorin jubilar dhe 34-vjetorin e emrit të atdhetarit Esat Berisha
Gjilan – Më 15 qershor 2026, në fshatin Llashticë u shënua solemniteti i madh i 80-vjetorit të themelimit të Shkollës “Esat Berisha”, njëherësh edhe 34-vjetori i emrit që mban kjo vatër e rëndësishme e dijes, emër i atdhetarit dhe veprimtarit Esat Berisha, i cili dha kontribut të çmuar për historinë, arsimin dhe lirinë e Kosovës.
Manifestimi jubilar mblodhi mësimdhënës, nxënës, prindër, ish-punëtorë të arsimit, qytetarë dhe mysafirë të shumtë, si dhe përfaqësues të institucioneve arsimore dhe shkollave të tjera, duke i dhënë kësaj ngjarjeje një atmosferë të veçantë festive dhe përkujtimore.
Në hapje të ceremonisë, drejtori i shkollës, Nexhat Shabani, përshëndeti të pranishmit dhe shprehu mirënjohje për pjesëmarrjen në këtë jubile të rëndësishëm. Ai theksoi rolin historik të shkollës si vatër e dijes dhe edukimit ndër breza, duke vlerësuar përkushtimin e vazhdueshëm të mësimdhënësve dhe nxënësve në ruajtjen e cilësisë arsimore dhe të vlerave kombëtare.
Në kuadër të programit u prezantua edhe dokumentari dhe historiku vizual i shkollës, i cili pasqyroi rrugëtimin e saj prej themelimit e deri më sot. Dokumentari solli kujtime dhe dëshmi mbi historinë mbi tetë dekadëshe të institucionit, sfidat e kaluara ndër vite dhe zhvillimin e vazhdueshëm në fushën e arsimit dhe edukimit.
Programi artistik dhe kulturor i përgatitur nga nxënësit dhe mësimdhënësit u mirëprit ngrohtësisht nga të pranishmit. Poezitë, këngët, vallet dhe ekspozitat e realizuara nga komuniteti shkollor sollën emocione dhe dëshmuan talentin, kreativitetin dhe angazhimin e nxënësve të kësaj shkolle.
Gjatë manifestimit u rikujtuan edhe vitet e vështira të dekadës së ’90-ta, kur mësimdhënësit dhe komuniteti i Llashticës, me sakrificë dhe vendosmëri, mbrojtën shkollën shqipe, gjuhën dhe identitetin kombëtar, duke vazhduar procesin mësimor edhe në kushte të rënda okupimi.
Një moment i veçantë i ceremonisë ishte ndarja e mirënjohjeve për nxënësit me rezultate të dalluara dhe për mësimdhënësit që kanë kontribuar ndër vite në edukim dhe në ngritjen e cilësisë së arsimit. Përmes këtyre vlerësimeve u dëshmua respekti për punën dhe përkushtimin e tyre të vazhdueshëm.
Me respekt dhe emocione të veçanta u përkujtuan edhe mësimdhënësit që nuk jetojnë më, por që lanë gjurmë të pashlyeshme në arsimin dhe edukimin e brezave. Disa prej tyre u nderuan me mirënjohje post-mortem, si shenjë falënderimi dhe respekti për sakrificën dhe kontributin e tyre të çmuar.
Në përmbyllje të manifestimit, organizatorët shprehën mirënjohje për drejtorinë e shkollës, mësimdhënësit, nxënësit, prindërit dhe të gjithë pjesëmarrësit që kontribuuan në organizimin e kësaj dite të rëndësishme për historinë e shkollës dhe komunitetit.
Aktiviteti u përmbyll me një koktej rasti, duke lënë mbresa dhe kujtime të veçanta nga ky jubile i rëndësishëm i arsimit në Llashticë./shabanshabani/rajonipress/






