KKVITI

Apeli për pagesën e tatimit në pronë nxit reagime të ashpra ndaj Komunës së Gjilanit

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Një postim publik i drejtorit komunal, Avdyl Kastrati, për pagesën e tatimit në pronë ka shkaktuar reagime të shumta dhe kritika të ashpra nga qytetarët në rrjetet sociale, të cilët kanë shprehur pakënaqësi për gjendjen e infrastrukturës dhe mungesën e investimeve në lagjet e tyre.

Në postimin e tij, drejtori Kastrati falënderoi qytetarët që, sipas tij, po i kryejnë me përgjegjësi obligimet ndaj tatimit në pronë, duke kontribuar në zhvillimin e projekteve dhe përmirësimin e shërbimeve komunale.

Megjithatë, reagimet e qytetarëve nuk munguan. Shumë komentues e kritikuan ashpër qeverisjen lokale, duke thënë se pagesa e rregullt e tatimeve nuk po reflektohet në investime konkrete dhe përmirësim të kushteve infrastrukturore.

Qytetari Fatmir Syla shkroi se tatimin po e paguajnë rregullisht, por infrastruktura në lagjen e tyre vazhdon të mbetet në gjendje të rëndë. “Rrugët pa asfalt, pa mirëmbajtje dhe investimet minimale. Obligimet ndaj komunës po i kryejmë, por edhe komuna duhet t’i kryejë obligimet ndaj qytetarëve”, ka shkruar ai.

Eco Higjiena

Edhe komentues të tjerë kanë ironizuar me kërkesat për pagesë tatimi, duke akuzuar komunën për neglizhencë dhe zvarritje të punimeve infrastrukturore. “Shkatërrojnë rrugë e trotuare, pastaj apelojnë qytetarët me e pagu tatimin”, ka komentuar një qytetar tjetër me emrin Imran.

Ndërsa Fatmir Erhan Limoni ka reaguar ashpër lidhur me vonesat në realizimin e disa punimeve publike, duke theksuar se disa projekte të vogla po mbesin të papërfunduara për muaj të tërë.

Reagimet tregojnë pakënaqësinë në rritje të qytetarëve ndaj menaxhimit komunal dhe mënyrës së realizimit të investimeve publike, në një kohë kur pritjet për përmirësim të infrastrukturës dhe shërbimeve mbeten të larta./rajonipress/