Veseli: Të bëhemi solidar, askush më mirë se ne nuk i kupton vuajtjet e sirianëve
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka folur sot edhe për gjendjen e rëndë të refugjatëve sirianë, duke thënë se askush më mirë se Kosova nuk e kupton dhimbjen e braktisjes së atdheut.
Ai tha se është momenti që me aq sa kemi mundësi të bëhemi pjesë e solidaritetit me njerëz të vuajtur.
“Sot kur rrugët e Ballkanit janë të mbushura me refugjatë të ikur nga terrori i luftës në Siri, ne duhet që këtë frymëzim ta kthejmë në vepra konkrete, duke ndihmuar, kudo që mundemi, që dhimbjet e këtyre refugjatëve të pakësohen. Askush më mirë se sa ne nuk e kupton dhimbjen e braktisjes së atdheut për shkak të terrorit. Askush më mirë se sa ne nuk e ndjen trishtimin në fytyrat e fëmijëve të ikur nga lufta. Prandaj, është momenti që me aq sa kemi mundësi të bëhemi pjesë e solidaritetit me njerëzit e vuajtur. Kështu e vazhdojmë misionin e bijës sonë të madhe, Nënës Terezë. Dhe kështu e nderojmë më së miri vetë atë”, u shpreh Veseli. /Telegrafi/

