Komuna e Vitisë vazhdon përmirësimin e infrastrukturës, Arton Musliu: “Çdo ditë në shërbim të qytetarëve”
Viti – Arton Musliu ka bërë të ditur se Komuna e Vitisë po vazhdon angazhimin në terren për përmirësimin e infrastrukturës lokale dhe krijimin e kushteve më të mira për qytetarët në qytet dhe fshatra.
Sipas Musliut, Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjencë po realizon ndërhyrje të vazhdueshme në rrugët lokale, duke rregulluar segmentet me zhavorr në disa zona të komunës.
Punimet janë realizuar në: Viti, Pozhoran, Remnik, Budrikë, si dhe në hyrjen e Goshicë nga drejtimi i Sadovinë e Jerlive.
“Komuna e Vitisë dhe Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjencë po u shërbejnë qytetarëve çdo ditë. Pak nga pak e ndreqim”, ka shkruar Musliu.
Qytetarët e këtyre zonave kanë mirëpritur ndërhyrjet infrastrukturore, duke theksuar se përmirësimi i rrugëve ndikon drejtpërdrejt në lehtësimin e qarkullimit dhe në përmirësimin e jetës së përditshme.
Nga komuna është bërë e ditur se investimet dhe mirëmbajtja e rrugëve lokale do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, në bazë të kërkesave dhe prioriteteve të komunitetit./rajonipress/


