Kadri Rahimaj vlerëson punëtorët komunalë: përkushtimi i tyre mban Kamenicën të pastër çdo ditë
Kamenicë – Kryetari i Komunës së Kamenicë, Kadri Rahimaj, ka shprehur mirënjohje dhe vlerësim për punëtorët e ndërmarrjes publike, duke theksuar rolin e tyre të pazëvendësueshëm në mirëmbajtjen e hapësirave publike.
Në një reagim publik, ai ka nënvizuar se kjo është pamja e përditshme e qytetit, punëtorë të angazhuar që kujdesen për pastërtinë dhe rregullin në çdo rrugë, park dhe hapësirë të përbashkët. Sipas tij, përkushtimi dhe përgjegjësia e tyre e lartë janë thelbësore për krijimin e një ambienti të denjë për qytetarët.
Rahimaj ka theksuar se, ndonëse puna e tyre shpesh kalon pa u vënë re, ndikimi që ata kanë në cilësinë e jetës është i madh dhe i përditshëm.
Ai ka bërë thirrje për më shumë vlerësim institucional dhe qytetar ndaj këtij angazhimi, duke e cilësuar atë si një nga shtyllat kryesore të funksionimit të një qyteti të pastër dhe të rregullt.
Ky mesazh vjen si një rikujtim për rëndësinë e punës së përditshme në shërbim të komunitetit dhe për rolin që secili qytetar ka në ruajtjen e mjedisit./rajonipress/



