Fundamenti

Opozita në Gjilan në apati politike përballë sfidave të qeverisjes lokale

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Skena politike në Gjilan po karakterizohet nga një mungesë e theksuar dinamizmi opozitar, në një kohë kur sfidat ekonomike, infrastrukturore dhe sociale mbeten të dukshme. Pavarësisht kritikave të vazhdueshme ndaj qeverisjes lokale të udhëhequr nga Alban Hyseni, partitë opozitare nuk kanë arritur të artikulojnë një qasje të qartë dhe aktive përballë kësaj situate.

Në muajt e fundit, opozita është perceptuar si e tërhequr dhe pa reagime konkrete ndaj çështjeve që prekin drejtpërdrejt qytetarët. Projekte të rëndësishme infrastrukturore, si segmentet rrugore të papërfunduara, zhvillimi i ngadaltë i stadiumit dhe mungesa e investimeve në zona të caktuara urbane, kanë mbetur në qendër të kritikave publike, por pa një kundërpërgjigje të organizuar politike.

Gjithashtu, shqetësime janë ngritur edhe për gjendjen e operatorëve ekonomikë dhe për mungesën e mbështetjes institucionale, duke reflektuar një klimë të përgjithshme pakënaqësie në komunitet. Megjithatë, mungesa e iniciativave si protesta, debatet publike apo platforma alternative zhvillimore nga opozita ka shtuar perceptimin për një vakum të rolit të saj në jetën politike lokale.

Mobi Casa

Pushteti i Alban Hyseni po perceptohet gjithnjë e më shumë si i konsumuar nga mungesa e rezultateve dhe dinamizmit, por edhe më shqetësuese mbetet heshtja e opozitës gjilanase. Në një realitet ku problemet janë të dukshme dhe pakënaqësia qytetare në rritje, mungesa e reagimit opozitar, pa protesta, pa qëndrime të qarta dhe pa iniciativa konkrete, krijon një boshllëk të rrezikshëm në jetën demokratike të komunës.

Ky pasivitet jo vetëm që e dobëson rolin kontrollues të opozitës, por e lë qytetin pa alternativë dhe pa zë kritik, duke e thelluar edhe më tej ndjesinë e stagnimit dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale.

Në prag të zhvillimeve të reja politike dhe proceseve zgjedhore, mbetet për t’u parë nëse opozita do të arrijë të rikthejë besimin e qytetarëve përmes angazhimit më të madh dhe ofertave konkrete, apo nëse kjo gjendje do të vazhdojë të ndikojë në balancën demokratike në komunë./rajonipress/