Një shtet për vete
Nga Imer Mushkolaj – Kosova nuk duhet të kthehet në pronë të pushtetarëve për t’i kënaqur apetitet e tyre. Kosova duhet të bëhet demokratike, e jo të kthehet në shtet policor për t’ia shëruar dikujt fobinë nga kundërshtarët politikë.
Nëse qeveritarët i dëgjoni të flasin për një sistem drejtësie efikas, gjasat më të mëdha janë që ky efikasitet të shihet veç në rastet që kanë të bëjnë me ta dhe familjarë të tyre. Kështu ka ndodhur së fundi me dënimin “shpejt e shpejt” të Alban Morinës, me tre muaj burgim, për kërcënimet e bërë ndaj djalit të kryeministrit Isa Mustafa, Besnikut dhe ministrit Arban Abrashi.
Me këtë veprim të Gjykatës Themelore të Prishtinës veç sa është vërtetuar se çfarë drejtësie ka në Kosovë dhe cili është raporti i saj me pushtetin. Veprime të tilla mund të jenë të mundshme vetëm pas ndërhyrjeve politike. Sepse, të jesh në pushtet don të thotë ta kesh edhe shtetin për veti dhe ta përdorësh kurdo dhe për çfarëdo që ke nevojë.
Qindra mijëra lëndë të pazgjidhura të kosovarëve me vite të tëra presin në sirtarë gjykatash,
ndërkohë që favorizohet zgjidhja e dy lëndëve vetëm pse kanë të bëjnë me zyrtarë të shtetit dhe familjarë të tyre. Nuk po them se këto lëndë nuk është dashur të trajtohen, por është jashtëzakonisht e pandershme dhe aspak profesionale që ato të jenë prioritare, ndërkohë që lëndë shumë më të rënda zvarriten me vite.
Vetë kryeministri Mustafa është tash dy vjet objekt i trajtimit të 70 lëndëve që s’po përfundojnë, ndërkohë që procese të hapura ekzistojnë edhe ndaj djemve të tij. Të mos përmendim raste skandaloze si ai i kryetarit të Prizrenit, që nuk po gjykohet një kohë të gjatë. Ndërkohë, shumë raste të tjera të kërcënimeve, kryesisht ndaj gazetarëve, nuk janë përfunduar. Dhe gjasat janë që ato të mos marrin verdikt shpejt, sepse të kërcënuarit nuk janë ministra as fëmijë qeveritarësh.
Veprimet si ky i Gjykatës Themelore të Prishtinës vetëm sa e thellojnë krizën e besimit në sistemin e drejtësisë, që vazhdon të karakterizohet nga një imazh i dëmtuar e përtokë.
* * *
Mendësia e të gjithë atyre që e kanë udhëhequr vendin deri më tash ka qenë e tillë: unë udhëheq shtetin, unë e kam shtetin për veti, unë jam shteti, unë e përdor shtetin për të mirën time. Njësoj po vepron edhe Isa Mustafa i cili, në vend që të adresojë brengat e qytetarëve që presin t’u hapen vendet e premtuara të punës, së fundi gjithë vëmendjen e ka te familjarët dhe pronat e veta.
Në vend se të komunikojë në mënyrë korrekte me kundërshtarët politikë dhe kritikët, ai shfaqet gjithë mllef e arrogancë duke mos zgjedhur të përdor aso fjalësh e cilësimesh që më së shumti i hasim në atlase të zoologjisë.
Me ata të cilët i kritikonte dikur dhe betohej se s’do të qeveriste kurrë, tash po e ndan pushtetin dhe brengën ndaj kundërshtimeve të opozitës. Ndërkohë që gjithçka që lidhet me Lëvizjen Vetëvendosje, me të cilën dikur betohej të bashkëqeveriste, i është kthyer në njëfarë fobie që po kulmon me gjuhë të papranushme e diskurs publik aspak etik. Për diskurs akademik as që bëhet fjalë.
Por, përveç në paraqitje publike, fobia ka “zbritur” edhe në terren. Aktivistë të Vetëvendosjes bastisen e arrestohen gjithandej, madje edhe për shkak se mund t’iu gjenden një grumbull fletushkash në makinë. Ndërkohë që akuza për krime nga më të tmerrshmet dëgjojmë publikisht çdo ditë, e askush nga organet përgjegjëse nuk merret me to.
Përndjekja policore ndaj atyre që mund të shpërndajnë fletushka dhe mund të mos pajtohen me pushtetin i takon një tjetër kohe. Kosova duhet të jetë shtet demokratik, e jo të kthehet në shtet policor për t’ia shëruar dikujt fobinë nga kundërshtarët politikë.
Njerëzit kanë të drejtë të mos pajtohen me vendimet e qeverisë, kanë të drejtë të protestojnë, por kjo nuk i jep të drejtë pushtetit që të përpiqet t’ua ndalojë këtë duke i frikësuar, duke i shantazhuar, duke i arrestuar.
* * *
Të jesh në pushtet nënkupton të kesh përgjegjësi ndaj atyre që i udhëheq, e jo ta kuptosh pozitën si mundësi përfitimi të privilegjeve në kurriz të qytetarëve. Të jesh në pushtet nënkupton të jesh përgjegjës dhe i përgjegjshëm për të gjithë, pa marrë parasysh a të kanë votuar a jo, pa marrë parasysh nëse të duan a të urrejnë, nëse të kritikojnë a të çojnë në qiell.
Të jesh në pushtet nënkupton që të garantosh se parimi i barazisë duhet të vlejë për të gjithë njësoj. Të jesh në krye të qeverisë së një vendi nënkupton që nuk je vetëm kryeministër “i dikujt”, por i të gjithëve. Andaj edhe përgjegjësia ndaj fjalës dhe veprimeve publike, si dhe përmbushjes së premtimeve, duhet të jetë e madhe. Andaj edhe shtetin duhet ta bësh, e jo ta përdorësh për veti.


