Nënshkruhet marrëveshja për rregullimin e varrezave në Karaçevë të Epërme
Kamenicë – Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, së bashku me Drejtorin e Investimeve Kapitale, Blerim Murina, kanë pritur në takim disa përfaqësues të Komunitetit të Lagjes Karaçevë e Epërme.
Në këtë takim Rahimaj ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me përfaqësuesin e këtij Komuniteti, Selami Kastrati.
Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është rregullimi i bashkëfinancimit, bashkëpunimit dhe realizimit të projektit “Rregullimi i varrezave në fshatin Karaçevë e Epërme”, si dhe përcaktimi i të drejtave dhe përgjegjësive të palëve në lidhje me sigurimin e mjeteve financiare, zbatimin e procedurave administrative dhe teknike, si dhe realizimin e projektit në përputhje me dokumentacionin teknik dhe legjislacionin në fuqi, me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës dhe krijimit të kushteve të përshtatshme për funksionalizimin e hapësirës së varrezave.
Rahimaj theksoi rëndësinë e këtij projekti për komunitetin lokal.
“Ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës lokale dhe ofrimit të kushteve më dinjitoze për qytetarët tanë. Bashkëpunimi me komunitetin është thelbësor për realizimin e projekteve që prekin drejtpërdrejt jetën e tyre”, ka thënë ai.
Vlera e përgjithshme e projektit është 99,848.50 euro, ku Komuna e Kamenicës bashkëfinancon me 72,848.50 euro, ndërsa Komuniteti i Lagjes Karaçevë e Epërme kontribuon me 27,000.00 euro./rajonipress/


