KKVITI

Promovohet monografia për Haki ef. Sermaxhajn, figurë e shquar e dijes dhe atdhetarisë

/ 2 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Është promovuar monografia “Myderriz Haki efendiu”, kushtuar jetës dhe veprës së myderriz Haki ef. Sermaxhajt, me autorë Aliriza Selmani dhe hfz. Avni Aliu, duke rikthyer në vëmendje një nga figurat më të rëndësishme të dijes fetare dhe çështjes kombëtare.

Në këtë ngjarje morën pjesë personalitete të jetës fetare, akademike dhe publike, të cilët vlerësuan lart kontributin e tij shumëdimensional. Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu, theksoi se Haki efendiu zë një vend të veçantë në histori, duke e cilësuar atë si model të besimit dhe sakrificës.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, u shpreh se trajtimi dhe promovimi i figurave të tilla është i domosdoshëm, pasi ato përfaqësojnë përkushtimin e një njeriu që jetën ia kushtoi besimit dhe atdheut.

Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, e cilësoi Haki efendiun si një personalitet të rrallë që mishëronte trinomin thelbësor të identitetit kombëtar: arsimimin, besimin dhe atdhedashurinë. Sipas tij, ai ishte një dijetar erudit që i shërbeu popullit përmes edukimit dhe ruajtjes së vetëdijes kombëtare.

Panelistja Sabile Keqmezi-Basha u ndal te dimensioni historik i figurës së tij, duke theksuar se jeta e Haki Sermaxhajt është dëshmi e qëndresës kolektive, ndërsa Ramadan Shkodra vuri në pah rolin e tij në arsim dhe ndikimin te brezat që ai formoi.

UBT

Bashkautori Aliriza Selmani tha se përshkrimi i një figure të tillë është sfidë më vete, ndërsa Irfan Sermaxhaj, djali i tij, shprehu mirënjohje për vlerësimin e vazhdueshëm të figurës së të atit.

Myderriz Haki ef. Sermaxhaj nga Hogoshti ishte dijetar, edukator dhe veprimtar i çështjes kombëtare. Pas Luftës së Dytë Botërore, ai u angazhua në përpjekjet për liri dhe bashkim kombëtar, për çka u arrestua në vitin 1946 dhe u dënua me 20 vjet burg. Ai ndërroi jetë në burgun e Mitrovicës së Sremit në vitin 1948.

Promovimi i kësaj monografie vjen si një përpjekje për të ruajtur kujtesën historike dhe për të nderuar një figurë që la gjurmë të pashlyeshme në historinë kombëtare./rajonipress/