KKVITI

Bashkëpunim institucional në Kamenicë për rritjen e punësimit dhe aftësimit profesional

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Kamenicë – Drejtoria për Zhvillim Ekonomik dhe Diasporë po intensifikon angazhimet për nxitjen e punësimit dhe zhvillimin e aftësive profesionale përmes një bashkëpunimi të strukturuar ndërinstitucional.

Në këtë kuadër, është zhvilluar një takim pune me udhëheqësin e Zyrës për Punësim, Petrit Vokshi, si dhe me udhëheqësin e Qendrës për Aftësim Profesional, Mujedin Zylfijaj.

Gjatë takimit u diskutuan mundësitë konkrete për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, me fokus në mbështetjen e të rinjve dhe bizneseve vendore, krijimin e mundësive të reja për punësim dhe përputhjen e kërkesave të tregut të punës me aftësitë profesionale të qytetarëve.

Mobi Casa

Drejtori i kësaj drejtorie, Edon Dërmaku, theksoi se institucioni që ai drejton mbetet i përkushtuar në hartimin dhe zbatimin e politikave dhe iniciativave që prodhojnë rezultate konkrete dhe ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve.

Në takim u diskutua gjithashtu edhe vazhdimi i bashkëpunimit në fushën e trajnimeve profesionale, me theks të veçantë në fuqizimin e grave, ku komuna ka mbështetur pjesëmarrjen e tyre përmes mbulimit të shpenzimeve të transportit.

Ky bashkëpunim synon të krijojë një qasje më efikase në zhvillimin ekonomik lokal dhe rritjen e punësimit në komunën e Kamenicës./rajonipress/