KPF në Kamenicë miraton njëzëri raportin financiar dhe vendimet kyçe
Kamenicë – Është mbajtur mbledhja e katërt e rregullt e Komitetit për Politikë dhe Financa (KPF) të Kuvendit Komunal të Kamenicë, ku janë shqyrtuar dhe miratuar një sërë pikash me rëndësi për funksionimin e komunës.
Mbledhjen e ka hapur kryesuesja e Kuvendit Komunal, Arbnore Beqiraj-Fera, e cila prezantoi rendin e ditës, duke përfshirë miratimin e procesverbalit nga mbledhja e kaluar, shqyrtimin e raportit financiar për periudhën janar–mars 2026, si dhe disa propozim-vendime me karakter organizativ dhe financiar.
Ndër pikat kryesore të trajtuara ishin ndarja e mjeteve financiare për punëtorët e NPL “Dardana” Sh.A, dhënia në shfrytëzim e pronës komunale për Policinë e Kosovës, si dhe miratimi i rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në komunë.
Të gjitha pikat e rendit të ditës janë miratuar me vota unanime nga anëtarët e komitetit, duke i hapur rrugë procedimit të tyre për shqyrtim në Kuvendin Komunal./rajonipress/


