Durmishi: Ja pse zgjodha Danimarkën para Shqipërisë
Mbrojtësi shqiptar, Riza Durmishi është ftuar nga selektori i Danimarkës, Marten Olsen, për ndeshjen ndaj Shqipërisë dhe Armenisë. Ai ka treguar se nuk e ka pasur të vështirë të zgjedh…
Shumë lojtarë të Kombëtares Shqiptare janë formuar si futbollistë në Europë, por kanë preferuar të veshin fanellën kuqezi në nivel përfaqësuesesh.
Këtë mundësi zgjedhjeje e ka pasur edhe Riza Durmishi, mbrojtësi i Brondbyt në Danimarkë, që është grumbulluar nga Morten Olsen për ndeshjen ndaj Shqipërisë dhe Armenisë.
Mirëpo 21-vjecari, në një prononcim për “Extrabladet”, u shpreh se nuk ka pasur asnjë dilemë për të ardhmen, ka zgjedhur pa mëdyshjen më të vogëltë përfaqësojë Danimarkën.
“Të luaja me Danimarkën ka qenë dëshira ime më e madhe. Kurrë nuk e kam marrë në konsideratë të jem pjesë e një kombëtareje tjetër”, ka deklaruar ai.
Prindërit e Durmishit janë shqiptarë nga Maqedonia, por jetojnë prej shumë kohësh në Danimarkë, madje Rizai ka lindur në vendin nordik. Edhe Federata Maqedonase e Futbollit, i ka bërë ftesë futbollistit të Brondbit, por tashmë ai e kishte bërë zgjedhjen.
“E gjithë familja ime, nëna, babai, gjyshi dhe xhaxhai, do të vijnë të premten në stadiumin Parken. Jam i sigurt se babai im do të ketë veshur fanellën e Danimarkës”, ka theksuar ai, raporton Super Sport.
Mungesa e Simon Poulsen dhe e Nicolai Boilesen shton shanset për aktivizimin titullar të Durmishit, i cili po e pret me padurim këtë moment.
“E ndjej që ka ardhur momenti që të luaj titullar, por unë nuk nxitohem, i takon trajnerit Olsen të vendosë. Nëse do të jem në fushë, do të kem mundësi të kuptoj se cfarë do të thonë shqiptarët me njëri-tjetrin.”, përfundoi Durmishi.
Riza Durmishi është aktivizuar në vetëm një ndeshje me Danimarkën, pikërisht në miqësoren me Malin e Zi në muajin qershor, e fituar 2-1 nga formacioni i Olsen. /Express/

