Fundamenti

Del në dritë libri i tretë i Besim Arifi – “Ag që nuk perëndon”

/ 2 minuta lexim
KKVITI

Gjilan – Të martën, ka dalë nga shtypi libri më i ri i poetit Besim Arifi, i titulluar “AG QË NUK PERËNDON”, duke shënuar kështu botimin e tretë në krijimtarinë e tij letrare. Ky botim vjen si vazhdimësi e një rruge të përkushtuar në poezi, ku autori tashmë ka ndërtuar një identitet të veçantë artistik.

Libri është redaktuar dhe recensuar nga Prend Buzhala, ndërsa redaktimin gjuhësor e ka bërë Rijad Berisha. Ballina mban firmën e Albatrit Arifi, ndërsa shtypi është realizuar nga shtëpia botuese “Shkrola” në Prishtinë.

Besim Arifi ka lindur më 29 prill 1968 në Gjurkoc të Shtimes. Arsimin fillor e përfundoi në vendlindje, ndërsa shkollimin e mesëm në Lipjan, për të vazhduar më pas studimet në Fakultetin Teknik në Prishtinë. Krahas angazhimit profesional, prej vitit 2005 pjesë e Policia e Kosovës – ai ka kultivuar vazhdimisht pasionin për letërsinë.

Mobi Casa

Hapat e parë në krijimtari i ka hedhur që në bankat e shkollës fillore, kur poezitë e tij botoheshin në fletushkat e grupeve letrare shkollore. Me kalimin e viteve, ai është bërë pjesë e disa antologjive poetike dhe ka vazhduar të jetë aktiv në skenën letrare.

Para këtij botimi, autori ka publikuar edhe dy përmbledhje poetike, “REFLEKTIM” dhe “FLAS ME SHPIRT”, ndërsa së fundmi është bërë anëtar i Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës. Libri “AG QË NUK PERËNDON” pritet të pasurojë më tej fondin e poezisë shqipe dhe të dëshmojë vazhdimësinë krijuese të autorit./rajonipress/