Fundamenti

Mirënjohje për arsimtaren Azemine Abdullahu, një jetë në shërbim të dijes dhe brezave

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Drejtoria e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Musa Zajmi” në Gjilan ka ndarë mirënjohje zyrtare për arsimtaren Azemine Musmurati Abdullahu, në vlerësim të kontributit të saj të çmuar dhe shumëvjeçar në fushën e arsimit.

Në historinë e arsimit gjilanas, ka emra që nuk maten vetëm me vite pune, por me gjurmët e pashlyeshme që lënë në breza të tërë. Një ndër këto figura është arsimtarja Azemine Abdullahu, simbol i përkushtimit, profesionalizmit dhe dashurisë së pakushtëzuar për dijen. Me një angazhim të palodhur dhe një mision të qartë edukativ, ajo i ka dhënë arsimit në Gjilan jo vetëm kontribut të çmuar, por edhe shpirt, vlerë dhe frymëzim që vazhdon të jetojë te çdo nxënës që ka kaluar nëpër duart e saj.

E lindur më 2 prill 1961 në fshatin Poliçkë të Kamenicës, Abdullahu vjen nga një familje me traditë të theksuar atdhedashurie dhe përkushtimi shoqëror. Ajo përfundoi shkollimin fillor në Poliçkë, ndërsa arsimin e mesëm në Gjimnazin “9 Maji” në Hogosht, për të vazhduar më pas studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike në drejtimin Matematikë, ku diplomoi në vitin 1984.

Kontributi i saj nuk është kufizuar vetëm në arsim. Abdullahu ishte pjesëmarrëse aktive në demonstratat e vitit 1981 dhe e angazhuar në aktivitetet kombëtare gjatë viteve 1981-1990, duke bashkëpunuar me veprimtarë të shumtë dhe duke ofruar mbështetje për lëvizjen çlirimtare.

Karrierën si mësimdhënëse e Matematikës e nisi në vitin 1986 në Prishtinë, ndërsa më vonë shërbeu në disa institucione arsimore në Kamenicë dhe Gjilan. Nga viti 2006 deri në pensionim, ajo ishte pjesë e kolektivit të SHFMU “Musa Zajmi”, ku dha një kontribut të rëndësishëm në edukimin e shumë brezave të nxënësve.

Eco Higjiena

Përkushtimi i saj profesional u dëshmua edhe përmes pjesëmarrjes në trajnime të shumta dhe avancimit të vazhdueshëm akademik, duke përfunduar studimet Bachelor në Matematikë-Informatikë në Universitetin e Prishtinës.

Në arsyetimin e mirënjohjes thuhet se Azemine Abdullahu ka qenë më shumë se një mësimdhënëse – një udhërrëfyese dhe frymëzim për nxënësit e saj, duke përcjellë jo vetëm dije, por edhe vlera të larta njerëzore dhe arsimore.

“Me durim, përkushtim dhe zemër të madhe, ajo ka ndriçuar rrugën e dijes dhe ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën e shumë gjeneratave,” thuhet në vlerësimin e shkollës.

Drejtoria e shkollës i ka shprehur mirënjohje të thellë për kontributin e saj ndër vite, duke i uruar shëndet dhe suksese të mëtejshme në jetë./rajonipress/