Gjyqtari Naser Maliqi pensionohet pas një karriere të gjatë në sistemin e drejtësisë
Gjilan – Pas një karriere të gjatë dhe të përkushtuar në sistemin e drejtësisë, gjyqtari Naser Maliqi ka arritur moshën e pensionimit, duke përmbyllur një kapitull të rëndësishëm profesional në Gjykatën Themelore në Gjilan.
Maliqi ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Departamentin e Krimeve të Rënda, ku është dalluar për profesionalizëm, integritet dhe përkushtim në trajtimin e rasteve me ndjeshmëri të lartë.
Me këtë rast, kolegët gjyqtarë dhe stafi administrativ i Gjykatës Themelore në Gjilan i kanë uruar shëndet dhe mbarësi në këtë fazë të re të jetës, duke e falënderuar për kontributin e tij të çmuar në drejtësi.
Ai ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1983, ndërsa provimin e jurisprudencës e ka përfunduar në vitin 2000. Karrierën si gjyqtar e nisi në vitin 2002 në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje në Viti, për të vazhduar më pas në Gjykatën Komunale në Viti dhe Gjilan, si dhe në Gjykatën Themelore në Gjilan në departamente të ndryshme, përfshirë edhe Divizionin Civil.
Nga viti 2015, Maliqi ka shërbyer në Departamentin e Krimeve të Rënda, duke trajtuar çështje komplekse dhe duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në forcimin e sundimit të ligjit. Përveç angazhimit në drejtësi, gjatë viteve 1997-1999 ai ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit në Kooperativën e taksave “Manifaktura” në Viti.
Pensionimi i tij shënon përmbylljen e një karriere të gjatë në shërbim të drejtësisë dhe qytetarëve./rajonipress/


