Kuvendi Komunal i Kamenicës mban mbledhjen e tretë të rregullt, miratohen vendime me rëndësi për komunën
Kamenicë – Kuvendi Komunal i Kamenicës ka mbajtur mbledhjen e tretë të rregullt, të udhëhequr nga kryesuesja Arbnore Beqiraj-Fera, ku të pranishëm ishin asambleistët, drejtorë komunalë, përfaqësues të OJQ-ve dhe aktorë të tjerë institucionalë.
Në këtë mbledhje u trajtuan dhe u miratuan një sërë pikash me rëndësi për funksionimin e komunës. Fillimisht u bë betimi i tre anëtarëve të rinj të Kuvendit Komunal: Hasan Krasniqi, Valmir Ramadani dhe Leonita Mavriqi. Po ashtu, u miratua procesverbali i mbledhjes së kaluar dhe u zhvillua seanca e pyetjeve të legjislativit drejtuar ekzekutivit.
Në fokus të diskutimeve ishin edhe çështje të rëndësishme financiare dhe zhvillimore, përfshirë Raportin Financiar Buxhetor për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2025, si dhe raportin për zbatimin e rekomandimeve nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Kuvendi shqyrtoi gjithashtu kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për rishqyrtimin e vendimit për Planin Zhvillimor Komunal 2025–2033.
Gjatë mbledhjes u miratuan edhe disa vendime me rëndësi strategjike, si shpallja e interesit të përgjithshëm publik për projekte të caktuara, formimi i Komisionit për ndryshimin e stemës së komunës, themelimi i Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, si dhe vendimi për emërtimin e palestrës së sportit.
Me propozim të kryesueses, në rend dite u shtuan edhe dy pika të reja që lidhen me formimin e komisioneve për ndarjen e titujve të nderit dhe për Komisionin Komunal të Aksionarëve për NPL “Dardana” Sh.A., ndërsa një pikë u shty për mbledhjen e radhës.
Të gjitha pikat e shqyrtuara u miratuan me shumicë votash, duke reflektuar konsensusin e asambleistëve për çështjet kryesore të zhvillimit lokal./rajonipress/


