Shëtitja e futbollistëve nëpër përfaqësuese
Bersant Celina është zgjedhur të përfaqësojë Kosovën dhe Norvegjinë U-21. Ky është lajmi që klubi i madh anglez Manchester City ka dhënë për futbollistin e ekipit rezervë të tij.
Celina 18-vjeçar është i vetmi te City që është ftuar njëkohësisht nga përfaqësueset e dy vendeve.
Por talenti i madh që luan si mesfushor ofenziv nuk është i vetmi lojtar i Përfaqësueses së Kosovës që ftohet edhe nga përfaqësuese tjetër.
Celina është ftuar nga Përfaqësuesja A e Kosovës dhe nga Përfaqësuesja U-21 e Norvegjisë për grumbullime që janë në fillim të shtatorit. Ai pritet që më 31 gusht t’i bashkohet Kosovës dhe të qëndrojë nën urdhrat e përzgjedhësit Albert Bunjaki deri më 3 shtator, e më pas t’i bashkohet U-21 të Norvegjisë për ndeshjen kualifikuese të 7 shtatorit kundër Anglisë, shkruan sot “E Diela me Koha Ditore”.
Celina aktualisht vlerësohet lojtari më premtues në Përfaqësuesen e Kosovës. Por premtues vlerësohet edhe nga Norvegjia. Ai ka lindur në Prizren dhe është rritur në Norvegji. Në Norvegji ka mësuar futbollin, ndërsa në këtë vend ka luajtur deri në verën e vitit të kaluar, kur kaloi te City.
Celina vitin e kaluar iu bashkua Përfaqësueses A të Kosovës dhe tashmë i ka disa ndeshje në shpinë. Para se të luante për Kosovën luajti për U-15, U-16 e U-17 të Norvegjisë. Ai tash sërish kthehet te Norvegjia, te grupmosha e 21-vjeçarëve. “Shëtitje” nëpër përfaqësuese të ndryshme, si ajo e Celinës, kanë bërë edhe futbollistë të tjerë nga Kosova.
Në fakt, situata në të cilën ka kaluar dhe po kalon ende Kosova e ka bërë të mundur “shëtitjen” nëpër përfaqësuese, që rrallë shihet te futbollistët e tjerë të vendeve evropiane.
Kosova ende nuk është pjesë e FIFA-s e UEFA-s dhe nuk ka të drejtë të luajë ndeshje zyrtare me përfaqësuese. Nuk është ende pjesë e cikleve eliminatore. Pas luftës ka luajtur vetëm miqësore, por jo shumë shpesh. Më shumë miqësore pati prej janarit të vitit të kaluar, kur FIFA dha leje për Federatën e Futbollit të Kosovës që të luajë miqësore me përfaqësuese dhe me skuadra.
Rregulloret e FIFA-s saktësojnë se një lojtar mund të ndërrojë përfaqësuesen deri atëherë kur të luajë ndeshje zyrtare kualifikuese me përfaqësuesen A. Lojtari, me plotësimin e disa kushteve mund të luajë për një vend edhe nëse deri në grupmoshën U-21 ka luajtur për një vend tjetër.
http://koha.net/?id=6&l=72812


