Salihaj: Politika fundos synimet për cilësi në arsim
Jonuz Salihaj është profesor universitar prej shumë vjetësh, dhe gjatë kohë ka trajtuar politikat arsimore. Ai ka vërejtur se prej vitit 2008 arsimi nuk ka qenë prioritet në Kosovë.
Salihaj zhvillon aktivitetin e tij politik në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, subjekt ky që tash është në opozitë, por që në mandatin e para 2008-s ka drejtuar Qeverinë. Ishte ministër në atë qeveri, por jo i Arsimit. Kishte drejtuar Ministrinë e Drejtësisë.
Në një intervistë dhënë “Kohës Ditore”, ai ka gjykuar se cilësia e arsimit tani nuk është e krahasueshme as me periudhën e mbijetesës së arsimit, atë të viteve 1991-1999.
Ka argumentuar se si objektivat e mileniumit të tretë nuk mund të realizohen me një shifër enorme prej 53 mijë analfabetëve klasikë dhe 830 mijë analfabetëve funksionalë.
Në këtë intervistë, Salihaj ka folur për degradim dhe ka numëruar problemet me të cilat përballet ky sektor. Po kështu, ka folur edhe për masat që duhen ndërmarrë.
KD: Z. Salihaj, cili është niveli i arsimit në Kosovë, tash kur po fillon viti i ri shkollor?
Salihaj: Për fat të keq degradimi i sistemit arsimor në të gjitha nivelet po vazhdon me ritme të shpejta që nga paslufta, dhe është intensifikuar pas vitit 2008, me pushtetin e PDK-së. Platforma e këtij subjekti politik ishte partizimi i skajshëm i tij, duke e përdorur atë për qëllime elektorale.
Askush asnjëherë nuk ka besuar se 16 vjet pas luftës dhe 7 vjet pas Pavarësisë së vendit cilësia e arsimit të mos jetë e krahasueshme as me periudhën e mbijetesës së arsimit, atë të viteve ’91-99. Ka qindra argumente për të ilustruar këtë fakt në të gjitha nivelet e arsimit.
http://koha.net/?id=27&l=72799


