Kamenica drejt avancimit të sigurisë, Rahimaj pret ekspertë britanikë për sistemin e kamerave inteligjente
Kamenicë – Kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka pritur në një takim pune ekspertë britanikë të sigurisë, me fokus në avancimin e sistemit të kamerave në territorin e komunës.
Në këtë takim morën pjesë edhe komandanti i Policisë në Kamenicë, Basri Shkodra, rreshteri Shukri Shillova, si dhe përfaqësuesi i sektorit të IT-së në Drejtorinë Rajonale në Gjilan të Policia e Kosovës, Arsim Ramadani. Nga pala ndërkombëtare ishin të pranishëm ekspertët e kompanisë Avada Connect, Mick Stewart dhe Mat Burdett.
Gjatë takimit u diskutua për funksionimin e kamerave të vendosura në pika të ndryshme të komunës, si dhe për mundësitë e avancimit të mëtejmë të këtij sistemi përmes zgjidhjeve të reja softuerike.
Përfaqësuesit e kompanisë prezantuan detaje teknike mbi menaxhimin dhe efikasitetin e kamerave inteligjente, të cilat synojnë të rrisin sigurinë publike dhe të lehtësojnë punën e institucioneve të rendit.
Rahimaj falënderoi ekspertët për bashkëpunimin dhe kontributin në implementimin e këtij sistemi, duke theksuar gatishmërinë e komunës për të vazhduar dhe zgjeruar projektin në funksion të rritjes së sigurisë për qytetarët.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Policisë së Kosovës vlerësuan lart këtë teknologji, duke theksuar se sistemet e tilla tashmë kanë dëshmuar efektivitet në praktikë dhe janë një mbështetje e rëndësishme në punën e përditshme operacionale.
Ata shprehën gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejmë në zhvillimin dhe përshtatjen e projektit sipas nevojave konkrete në terren.
Ky takim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës së sigurisë në Kamenicë dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë./rajonipress/


