Mobi Casa

Rahimaj: Asnjë tolerancë për shkelje, 11 gjoba për bizneset në Kamenicë

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Kamenicë – Kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka bërë të ditur se Inspektorati Komunal ka intensifikuar kontrollet ndaj bizneseve, duke ndërmarrë masa konkrete për garantimin e respektimit të ligjit dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

Sipas tij, që nga fillimi i vitit, inspektorët kanë zhvilluar kontrolle të vazhdueshme në subjektet afariste që operojnë në territorin e komunës, duke monitoruar nga afër mënyrën e funksionimit të tyre.

Gjatë këtyre kontrolleve janë evidentuar një sërë parregullsish, përfshirë mosafishimin e çmimeve, mospërputhje ndërmjet çmimeve në raft dhe në arkë, mungesë të etiketimit në gjuhën shqipe, mungesë të deklarimit të përbërjes dhe origjinës së produkteve, reklamim mashtrues, si dhe ushtrim të aktivitetit pa përmbushur kushtet ligjore.

“Këto shkelje cenojnë drejtpërdrejt të drejtat e konsumatorëve dhe krijojnë pabarazi në treg. Në përputhje me legjislacionin në fuqi, janë ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj bizneseve përkatëse”, ka deklaruar Rahimaj.

ARKATANA

Ai bëri të ditur se deri më tani janë shqiptuar 11 gjoba, me vlerë nga 500 deri në 3000 euro, kryesisht ndaj bizneseve shërbyese.

Kryetari i komunës theksoi se zbatimi i ligjit mbetet prioritet dhe nuk do të ketë tolerancë për shkelje që dëmtojnë qytetarët dhe konkurrencën e ndershme në treg.

“Çdo subjekt që vepron në kundërshtim me rregullat në fuqi do të përballet me masa ndëshkuese pa përjashtim”, u shpreh ai./rajonipress/