Rahimaj prezanton Master Planin për zonën “Bahçe” në Kamenicë
Kamenicë – Kryetari i Kamenicë, Kadri Rahimaj, ka prezantuar vizionin e ri zhvillimor për zonën e njohur si “Bahçe”, përmes një Master Plani që synon ta shndërrojë këtë hapësirë në një zonë moderne, të gjelbër dhe atraktive për qytetarët.
Sipas Rahimajt, ky plan nuk është vetëm një dokument teknik, por një projekt zhvillimor që parashikon krijimin e më shumë hapësirave të gjelbra, infrastrukturë moderne për lëvizje dhe mundësi të reja për zhvillim ekonomik. Ai theksoi se projekti është hartuar duke marrë parasysh edhe mendimet e qytetarëve, të shprehura gjatë tri dëgjimeve publike të organizuara nga komuna.
Master Plani përfshin zhvillimin e një zone prej rreth 6 hektarësh, ku parashihet ndërtimi i një sërë atraksionesh dhe hapësirash rekreative, si, kopsht botanik, muze të natyrës, liqen artificial, kullë vrojtuese, shesh të këpurdhave, kënde për fëmijë dhe fusha sportive. Po ashtu, plani parasheh edhe zona për biznese dhe gastronomi, si dhe ndërtimin e një hoteli që pritet të kontribuojë në zhvillimin e turizmit lokal.
Në këtë projekt përfshihen edhe shtigje për ecje dhe vrapim, shtigje për biçikleta dhe hapësira rekreative që synojnë të krijojnë një ambient më të shëndetshëm dhe më të jetueshëm për banorët.
Rahimaj ka theksuar se synimi i këtij plani është të ndërtojë një qytet ku respektohet tradita, ndërsa zhvillimi dhe modernizimi i hapin rrugë një të ardhmeje më të mirë për qytetarët e Kamenicës./rajonipress/



