Stagnim institucional dhe retorikë pa përmbajtje në Gjilan
Gjilan – Në vend të një agjende të qartë zhvillimore dhe projekteve konkrete kapitale, Komuna e Gjilanit prej ditësh po merret me prezantime formale të drejtorëve, të shoqëruara me retorikë entuziaste, por pa përmbajtje të matshme. Në një qytet që përballet me sfida të shumta infrastrukturore, arsimore dhe ekonomike, kjo qasje po perceptohet si një zëvendësim i punës reale me ceremoni institucionale.
Qeverisja aktuale, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, që në nisje ka lënë përshtypjen e një administrate pa ritëm, pa freski dhe pa një vizion të artikuluar për zhvillimin e qëndrueshëm të qytetit. Mungesa e projekteve madhore dhe vonesat në konkretizimin e premtimeve zgjedhore po e thellojnë ndjesinë e stagnimit dhe të një vendnumërimi politik.
Alban Hyseni, në vend se të prezantojë plane të detajuara investimesh apo afate të qarta realizimi, ka zgjedhur të fokusohet në emërime dhe ristrukturime, të cilat, në vetvete, nuk prodhojnë zhvillim.
Një komunë dinamike si Gjilani kërkon menaxhim strategjik, koordinim efikas dhe lidership me qartësi prioritetesh, jo performanca simbolike.
Së fundmi, Hyseni njoftoi për kompletimin e ekzekutivit komunal me emërimin e drejtorit të Arsimit, Jeton Rexhepi, duke theksuar se ai do të angazhohet për “avancimin e cilësisë në arsim” dhe për “çuarjen përpara të reformave të nevojshme në këtë sektor kyç për zhvillimin e qytetit”.
Sipas tij, komunën e presin “shumë projekte dhe punë konkrete në shërbim të nxënësve, mësimdhënësve dhe gjithë qytetarëve”.
Megjithatë, përtej deklaratave optimiste, mbetet e paqartë se cilat janë projektet konkrete, cili është buxheti i planifikuar dhe cilat janë afatet e realizimit.
Në mungesë të këtyre elementeve thelbësore, prezantimet rrezikojnë të duken si ushtrime komunikimi politik, më shumë sesa si hapa realë drejt transformimit të sektorëve kyç.
Gjilani ka nevojë për veprime të prekshme, për investime të strukturuara dhe për transparencë të plotë në qeverisje.
Çdo vonesë, çdo improvizim dhe çdo prioritet i paqartë e zgjat më tej lodhjen qytetare dhe e thellon hendekun mes pritjeve publike dhe performancës institucionale./rajonipress/


