Emrush Haziri, mërgimtari që e ktheu sakrificën në ideal atdheu
Gjilan – Figura e Emrush Hazirit përfaqëson modelin e veprimtarit të heshtur, por me ndikim të thellë në rrjedhat kombëtare. Përtej lajmit për ndarjen e tij nga jeta, ajo që mbetet është kontributi i qëndrueshëm i një mërgimtari dhe patrioti, i cili angazhimin për atdheun e pati mision jetësor.
Ka njerëz që largohen nga vendlindja vetëm fizikisht, por kurrë shpirtërisht. Të tillë janë ata që mërgimin nuk e shohin si strehë personale, por si front të dytë të angazhimit për atdheun. Emrush Haziri ishte një mërgimtar i denjë, i sinqertë dhe shpirtbardhë, një humanist i pashoq që e ktheu sakrificën në vlerë dhe punën në ideal.
Me fjalë të pakta, por me vepra të mëdha, ai u bë motiv për shumë gjenerata, duke dëshmuar se dashuria për kombin nuk matet me afërsinë gjeografike, por me përkushtimin e përditshëm. Veprimtar i regjur i çështjes kombëtare, aktivist i palodhur dhe zë i arsyes në kohë të vështira, ai ndërtoi ura mes mërgatës dhe vendlindjes, mes shpresës dhe veprimit konkret.
Figura e tij përfaqëson modelin e njeriut që nuk kërkoi kurrë lavdi, por la pas respekt; nuk kërkoi mirënjohje, por fitoi nderim. Një emër që do të përmendet gjatë, sepse jetoi me dinjitet, veproi me zemër dhe shërbeu me besë.
Emrush Haziri vlerësohej si veprimtar i palodhshëm dhe shembull i përkushtimit të pashterur ndaj çështjes kombëtare. Vepra dhe figura e tij do të mbeten frymëzim për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, si dëshmi se dashuria për atdheun nuk njeh distancë, as kohë, as sakrificë të tepërt.
I formuar në një familje me traditë të theksuar patriotike, Haziri ishte pjesë e një zinxhiri brezash që i shërbyen kombit në etapa të ndryshme historike. Kontributi i tij në mërgatë dhe angazhimi për lirinë e Kosovës e vendosën atë në mesin e atyre figurave që veprojnë larg vëmendjes publike, por me ndikim të drejtpërdrejtë në forcimin e kauzës kombëtare.
Vlerësimi institucional erdhi edhe në nivelin më të lartë shtetëror. Në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, familjes Haziri iu dorëzua dekorata “Hero i Kosovës” nga presidenti i atëhershëm i Republikës, Hashim Thaçi. Me këtë akt, u nderua jo vetëm individi, por një traditë e tërë familjare e sakrificës dhe kontributit për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Lutfi Haziri, vlerësonte se i ati i tij përfaqëson gjeneratën e tretë të dekoruar në familjen e tyre me medalje të larta shtetërore, duke e cilësuar këtë si vazhdimësi të një trashëgimie nderi dhe përkushtimi.
Emrush Haziri mbetet kështu simbol i një brezi që e jetoi idealin kombëtar me dinjitet dhe pa bujë, duke e lënë pas një trashëgimi morale që tejkalon kohën dhe rrethanat politike.
Në kujtesën e bashkëkohësve dhe në historinë e Gjilanit, ai mbetet shembull i mërgimtarit që sakrificën personale e shndërroi në vlerë kombëtare./rajonipress/


