Demir Krasniqi, zëri që ruajti kujtesën muzikore të Anamoravës
Gjilan – Në mozaikun e pasur të kulturës shqiptare, emri i Demir Krasniqit zë një vend të veçantë si këngëtar, studiues dhe mbrojtës i palodhur i folklorit burimor. Për dekada me radhë, ai ka qenë një nga zërat më autentikë të këngës tradicionale shqiptare, duke e shndërruar interpretimin në mision dhe artin në dëshmi identiteti.
I njohur për timbrin karakteristik dhe interpretimin plot ndjenjë, Krasniqi ka kultivuar me përkushtim këngën lirike dhe epike të trevës së Anamoravës, duke i dhënë asaj jetë në skena të ndryshme kulturore brenda dhe jashtë Kosovës. Repertori i tij përfshin këngë dasmash, këngë historike e motive patriotike, të cilat ai i ka interpretuar me autenticitet dhe respekt ndaj burimit popullor.
Por kontributi i Demir Krasniqit nuk kufizohet vetëm në skenë. Ai është dalluar edhe si mbledhës dhe studiues i folklorit, duke dokumentuar këngë, motive dhe tradita që rrezikonin të humbnin në harresën e kohës. Në këtë aspekt, veprimtaria e tij ka marrë dimension akademik e kulturor, sepse ka shërbyer si urë lidhëse ndërmjet brezave, duke bartur trashëgiminë shpirtërore nga të moshuarit tek të rinjtë.
Në Gjilan dhe më gjerë, ai konsiderohet një institucion kulturor në vete. Për shumë artdashës, Demir Krasniqi është jo vetëm interpretues, por edhe simbol i rezistencës kulturore, në kohë kur ruajtja e identitetit përmes këngës ishte akt i vetëdijshëm dhe i guximshëm.
Puna e tij shumëvjeçare ka ndikuar në formimin e brezave të rinj të këngëtarëve e rapsodëve, duke i frymëzuar ata që ta shohin folklorin jo si relike të së kaluarës, por si pasuri të gjallë që duhet kultivuar me dinjitet.
Në një kohë kur globalizimi rrezikon të zbehë veçoritë kombëtare, figura si Demir Krasniqi mbeten shtylla të kujtesës kolektive. Ai dëshmon se kënga popullore nuk është thjesht melodi, por histori, shpirt dhe identitet.
Demir Krasniqi, një jetë në shërbim të muzikës, edukimit dhe profesionalizmit
Demir Krasniqi u nda fizikisht nga kjo botë, por pas vetes la një trashëgimi të pasur, të çmuar dhe të përpunuar me përkushtim në fushën e muzikës, publicistikës dhe letërsisë. Rrugëtimi i tij pati zigzagët dhe sfidat e veta, megjithatë ajo që mbetet e padiskutueshme është fakti se për më shumë se pesë dekada ai punoi me nder e dinjitet si krijues dhe artist i muzikës popullore.
Anamoravës dhe Kosovës i dhuroi qindra e mijëra këngë popullore e burimore shqiptare, si dhe një varg librash me karakter pedagogjik e studimor. Si krijues i përkushtuar i melosit tradicional shqiptar, ai vuri në shërbim të gjeneratave të reja gjithë potencialin e tij krijues, duke u bërë urë lidhëse ndërmjet traditës dhe së ardhmes. Me të drejtë, Demir Krasniqi mund të ndihej krenar për opusin e tij të gjerë në muzikë dhe publicistikë.
Ai ishte pjesë aktive e debateve kulturore të organizuara nga Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” dhe bashkëpunëtor i rregullt i portalit Rajonipress, ku botoi qindra artikuj e këngë kushtuar figurave historike dhe patriotëve të kombit. Demiri do të mbetet mësues dhe përkujtues i përhershëm i zhvillimeve kulturore në Anamoravë.
Një jetë në shërbim të muzikës
Si këngëtar dhe rapsod popullor, përveç mijëra dasmave e gazmendeve familjare në mbarë trojet etnike shqiptare dhe pjesëmarrjes në koncerte e festivale vendore, ai ishte katër herë përfaqësues i këngës kosovare në festivale ndërkombëtare: në Rivistën e Folklorit Ballkanik në Zagreb, në Ohër, në Tubimet e Folklorit Ballkanik në Beograd dhe në Festivalin Evropian “Danubi i Kaltër” në Novi Sad. Në këtë të fundit interpretoi në duet me Nexhmije Pagarushën këngën “Ku po shkon moj Rrushja e lalës”, festival që për herë të parë u transmetua drejtpërdrejt përmes rrjetit evropian “Eurovizion”.
Demir Krasniqi lindi më 10 shkurt 1950 në Tugjec të Malësisë së Gollakut (Komuna e Kamenicës), nga nëna Hysnije dhe babai Shefki. Ai vinte nga një familje e varfër materialisht, por e pasur në bujari, mikpritje dhe ndjenja të forta kombëtare.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa arsimimin dhe kualifikimin profesional muzikor në Prishtinë. Talenti i tij u shfaq që në bankat shkollore, ku dallohej për interpretim të shkëlqyer. Më 25 maj 1964, në manifestimin “Mikrofoni është i juaji” në Kamenicë, fitoi Çmimin e Parë me këngën “Hajredin Pasha po na vjen Radikës”, i shoqëruar nga arsimtari Rexhep Bunjaku.
Pedagog, organizator dhe themelues
Gjatë jetës së tij, Demir Krasniqi ushtroi profesionin e pedagogut të kulturës muzikore për afro 40 vjet në shumë shkolla të Kosovës. Krahas punës arsimore, ai themeloi dhe udhëhoqi dhjetëra grupe e shoqëri kulturo-artistike, ndër to: SHKA “Shpresa e Malësisë”, SHKA “Kosova”, SHKA “Dituria”, “Xhevahiret e Gjilanit”, “Krasniqja”, “Shahiria”, si dhe shumë grupe muzikore në shkollat fillore të Gjilanit dhe rrethinës.
Ishte anëtar i AVI “Çiftelia” të Radio Prishtinës (1968–1977) nën drejtimin e Lorenc Antonit, si dhe bashkëthemelues i grupit folklorik “Vëllezërit Krasniqi”.
Krijimtaria muzikore dhe përfaqësimi kombëtar
Që nga viti 1968, si këngëtar i rregullt i Radio Prishtinës, realizoi qindra incizime në formate të ndryshme – nga disqet e gramafonit deri te CD-të e DVD-të. Mori pjesë në festivalet “Akordet e Kosovës” dhe “Kosovarja këndon”, ku u shpërblye me çmime të para.
Në jubile të rëndësishme kombëtare krijoi dhe publikoi këngë si:
“Kushtrimi i Skënderbeut” (1968),
“Lidhja e Prizrenit” (1978),
“Kosova – nuse me kurorë” (2008),
“100 vjet të Pavarësisë”.
Është autor i mbi 2000 këngëve e valleve në frymën e melosit tradicional. Ka qenë anëtar i SAKOJ, ZAMP dhe SANAM në Beograd.
Publicist, studiues dhe mbledhës i folklorit
Demir Krasniqi ishte krijues i mijëra vargjeve poetike dhe mbledhës i pasionuar i folklorit, duke dokumentuar mbi 4000 këngë burimore shqiptare. Ka botuar dhe studiuar në fushën e etnomuzikologjisë, si dhe ka ushtruar profesionin e gazetarit e moderatorit në disa media, përfshirë Radio “Viktoria”, TV “Vali”, gazetën “Bashkimi”, “Fokus”, “Perspektiva” dhe platformën “Zemra Shqiptare”.
Ka botuar dhjetëra libra autorialë, ndër ta: “Mallëngjime e oshtima”, “Qamili i Vogël – zë që nuk shuhet”, “Gjakon Kosova”, “Këngë krismash lirie”, “Shtojzovallet e Gollakut”, “Lirika popullore e Gollakut”, “Kënga ime”, “Sofra e këngës” e shumë të tjera.
Përndjekjet dhe qëndresa
Në vitin 1968, ai incizoi në Beograd këngën “Kushtrimi i Skënderbeut”, në një kohë kur përmendja e figurës së Skënderbeut ishte e ndjeshme politikisht. Për këtë dhe për repertorin e tij atdhetar, u përndoq nga strukturat e UDB-së. Në vitin 1989, gjatë një mbrëmjeje në Gjilan, u ndalua me forcë nga milicia serbe, vetëm pse këndonte shqip.
Njohje ndërkombëtare
Në vitin 2010, përmes Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, dy këngë të tij iu dorëzuan Presidentit Bill Clinton dhe u përfshinë në arkivin e Muzeut të Shtëpisë së Bardhë – një rast unik për folklorin shqiptar.
Është autor i himneve të ndryshme, përfshirë atë të “Flakës së Janarit”. Për kontributin e tij është nderuar me qindra mirënjohje e dekorata.
Motoja e jetës
Motoja që e udhëhoqi ishte:
“Për emrin e Zotit,
Për nderin e kombit,
Për gjakun e dëshmorëve,
Për eshtrat e varreve!”
Demir Krasniqi ishte krijuesi që i këndoi historisë, që i dha zë kujtesës dhe që dokumentoi shpirtin e Gollakut me përkushtim të rrallë. Ai mbetet figurë emblematike e kulturës sonë kombëtare, një artist që jetoi për këngën dhe e shndërroi atë në amanet brezash./rajonipress/






