Hidromorava

Nxënësit vizitojnë Stacionin Policor në Gjilan në 18-vjetorin e Pavarësisë

/ 2 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës, përkatësisht Stacioni Policor në Gjilan, ka mirëpritur një grup nxënësish të klasave I–V nga Shkolla Fillore “Liria” në fshatin Uglar dhe Shkolla Fillore “Sadullah Brestovci” në Gjilan.

Nxënësit, të shoqëruar nga mësimdhënësit e tyre, patën mundësinë të njihen nga afër me organizimin, funksionimin dhe misionin e policisë, si dhe me rolin dhe përgjegjësitë që ajo ka në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

Gjatë vizitës në ambientet e stacionit, zyrtarët policorë prezantuan detyrat e përditshme, pajisjet që përdoren në përmbushjen e obligimeve zyrtare si dhe procedurat bazë të punës policore. Nxënësit shprehën interesim të veçantë për mënyrën e funksionimit të patrullave dhe angazhimet e policisë në shërbim të komunitetit.

Mobi Casa

Në kuadër të kësaj vizite u zhvillua edhe një bashkëbisedim interaktiv, ku zyrtarët policorë ofruan këshilla praktike për sigurinë në shkollë, në rrugë, në familje dhe në hapësira publike, duke theksuar rëndësinë e respektimit të rregullave dhe bashkëpunimit me institucionet e rendit.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e policisë nënvizuan se bashkëpunimi me institucionet arsimore dhe komunitetin mbetet prioritet i vazhdueshëm, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimin e brezave të rinj mbi rëndësinë e sigurisë, rendit dhe respektimit të ligjit.

Kjo vizitë u vlerësua si një hap i rëndësishëm në afrimin e policisë me komunitetin dhe në forcimin e besimit ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve të sigurisë./rajonipress/