Rrugët në Gjilan në gjendje alarmante, qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente
Gjilan – Gjendja e disa prej rrugëve kryesore dhe lagjeve të qytetit të Gjilanit vazhdon të mbetet shqetësuese për banorët, të cilët po përballen çdo ditë me infrastrukturë të dëmtuar dhe rrezik në komunikacion.
Sipas reagimit publik të Ardian Azemit nga AAK, rruga në lagjen Arbëria, si dhe rruga njëkahëshe pranë Parkut të Qytetit, në segmentin kah Park Kafe, ndodhen në gjendje të rëndë infrastrukturore. Të dyja këto akse rrugore konsiderohen vështirë të kalueshme, për shkak të dëmtimeve të theksuara dhe mungesës së ndërhyrjeve për vite me radhë.
Gropa dhe rrezik për sigurinë në trafik
Gjendje jo më e mirë paraqitet edhe në rrugën që shpie drejt qendrave tregtare, nga rrethrrotullimi në Kamnik deri te Shkolla Fillore “Abaz Ajeti”. Përveç numrit të madh të gropave, segmenti në fjalë paraqet rrezik serioz për pjesëmarrësit në trafik.
Drejtuesit e automjeteve, për t’iu shmangur gropave të gjera dhe të thella, shpesh detyrohen të devijojnë nga korsia, duke rritur rrezikun për aksidente. Sipas qytetarëve, dëmtimet janë pasojë edhe e ndërhyrjeve të pjesshme dhe jo cilësore që janë bërë ndër vite, pa një sanim të plotë dhe afatgjatë të rrugës.
Thirrje për veprim institucional
Ardian Azemi ka thënë se nuk kanë informacion se kur është paraparë ndërhyrja në këto segmente, por theksojnë se riparimi i tyre është urgjent. Ata nënvizojnë se dëmtimi i vazhdueshëm i automjeteve po u shkakton kosto shtesë, ndërkohë që, siç shprehen, janë taksapagues të rregullt dhe presin shërbime adekuate nga institucionet komunale.
Sa i përket projekteve më të mëdha infrastrukturore, përfshirë autostradën, hyrje-daljet e qytetit dhe rrugën Gjilan–Ferizaj, qytetarët thonë se çështja është ngritur vazhdimisht në opinion publik, por pa zgjidhje konkrete.
Në mungesë të një plani të qartë ndërhyrjeje, gjendja e rrugëve në Gjilan mbetet një nga problemet më të prekshme për komunitetin, duke kërkuar reagim të shpejtë dhe investim serioz nga autoritetet përgjegjëse./rajonipress/


