Pensionohet Demush Mehmeti, një jetë në shërbim të ligjit, poezisë dhe qytetarëve
Viti – Të martën, pas më shumë se tri dekadash angazhimi të pandërprerë profesional dhe shoqëror, është pensionuar juristi dhe poeti Demush Mehmeti nga Remniku i Vitisë. Ai përmbylli karrierën e tij pas mbi 30 vitesh punë aktive, pa llogaritur periudhën e largimit të dhunshëm nga puna në vitin 1990, si pasojë e masave represive të regjimit serb.
Nga kjo përvojë shumëvjeçare, 24 vite i kaloi në pozita menaxheriale, krahas angazhimit të vazhdueshëm në funksione përfaqësuese dhe politike, si një aktivist i palodhur në proceset e shtetndërtimit të Kosovës.
Në momentin e pensionimit, Mehmeti ushtronte detyrën e Drejtorit të Qendrës për Punë Sociale në Viti, pozitë që e mbajti për plot 21 vite pa ndërprerje, nga 15 prilli 2004 deri më 30 prill 2026. Për shkak të gjendjes shëndetësore, ai doli në pension të parakohshëm, duke shënuar një rekord të veçantë në nivel vendi për kohëzgjatjen e ushtrimit të kësaj detyre, që nga themelimi i Qendrave për Punë Sociale në Kosovë.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, Demush Mehmeti u përball me sfida të shumta në ushtrimin e detyrës, përfshirë mungesën e mjeteve financiare dhe logjistike, moskuptimin e plotë të rolit dhe gamës së shërbimeve sociale, si dhe numrin e madh të qytetarëve në nevojë për mbështetje. Shpeshherë, këto shërbime janë trajtuar padrejtësisht si veprimtari dytësore nga nivelet udhëheqëse komunale dhe shtetërore.
Megjithatë, ai ia doli të ruajë standarde të larta profesionale falë njohurive të tij të thelluara juridike dhe intelektuale, duke i trajtuar të gjithë qytetarët me kujdes, guxim dhe paanshmëri, pa asnjë dallim, në përputhje të plotë me parimet e drejtësisë sociale.
I njohur për bashkëpunimin e ngushtë me kolegët, Mehmeti dinte të ishte i vendosur dhe i rreptë kur bëhej fjalë për mbrojtjen e të drejtave të klientëve dhe zbatimin e ligjit. Në të njëjtën kohë, ai mbeti gjithmonë i përulur, pa pretenduar përsosmëri apo pagabueshmëri personale, një cilësi që e bëri të respektuar si profesionist dhe si njeri./rajonipress/


