Fundamenti

Kuvendi Komunal i Kamenicës hap agjendën vjetore institucionale

/ 2 minuta lexim
Eco Higjiena

Kamenicë – Kuvendi Komunal i Kamenicës ka mbajtur mbledhjen e parë të rregullt, duke shënuar fillimin e agjendës institucionale për këtë vit. Mbledhja u hap nga Kryesuesja e Kuvendit, Arbnore Beqiraj Fera, ndërsa të pranishëm ishin Kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, asambleistë, përfaqësues të organizatave joqeveritare, si dhe palë të tjera të interesuara.

Në këtë mbledhje u shqyrtuan dhe u miratuan një sërë pikash me rëndësi për funksionimin institucional dhe zhvillimin e komunës. Rendi i ditës përfshinte gjithsej 13 pika, të cilat u paraqitën për diskutim dhe votim.

Ndër pikat kryesore të rendit të ditës ishin shqyrtimi dhe miratimi i procesverbalit nga mbledhja e mbajtur më 29.12.2025, pyetjet legjislative drejtuar ekzekutivit, si dhe shqyrtimi i Raportit të punës së Kryetarit të Komunës për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025.

Po ashtu, Kuvendi trajtoi Raportin vjetor të punës së Kuvendit Komunal për vitin 2025, Raportin Financiar Buxhetor për periudhën 1 tetor – 31 dhjetor 2025 (TM4), si dhe Raportin e Performancës Komunale për vitin 2024.

Mobi Casa

Një rëndësi e veçantë iu kushtua edhe propozim-vendimit për miratimin e Planit Zhvillimor Komunal 2025–2033, si dokument strategjik për orientimin e zhvillimit afatgjatë të Komunës së Kamenicës. Në rend dite u përfshinë gjithashtu informatat nga Njësia e Auditimit të Brendshëm, Këshilli Komunal për Siguri dhe Bashkësi (KKSB) për vitin 2025, si dhe themelimi i grupit punues për hartimin e Planit vjetor të punës së Kuvendit për vitin 2026.

Gjatë mbledhjes u shqyrtuan edhe dy kërkesa nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), lidhur me rishqyrtimin dhe harmonizimin e vendimeve përkatëse, ndërsa pika “Të ndryshme” shërbeu për çështje shtesë me interes institucional.

Pas diskutimeve, të gjitha pikat e rendit të ditës u miratuan me shumicë votash, duke reflektuar konsensusin e Kuvendit për vazhdimin e punës institucionale dhe zbatimin e agjendës komunale./rajonipress/