Drita nis 2026-ën si kampione: Triumfon ndaj Prishtinës dhe rrëmben Superkupën e Kosovës
Gjilan – Drita e Gjilanit e ka nisur vitin 2026 në mënyrën më të mirë të mundshme, duke ngritur lart trofeun e Superkupës së Kosovës, pas fitores 2-1 ndaj Prishtinës në një ndeshje të fortë dhe emocionuese.
Takimi nisi me dominim të kryeqytetasve, të cilët arritën të kalojnë të parët në epërsi. Në minutën e 8-të, kapiteni Leotrim Kryeziu shfrytëzoi një rast të mirë dhe realizoi për 0-1, duke i dhënë avantazhin Prishtinës.
Reagimi i Dritës nuk vonoi. Kampionët në fuqi shtuan presionin dhe në minutën e 39-të fituan penallti, të cilën Besnik Krasniqi e shndërroi me qetësi në gol, duke barazuar rezultatin në 1-1.
Momenti kyç i ndeshjes erdhi në fund të pjesës së parë, kur Prishtina mbeti me një lojtar më pak në fushë. Harun Karic u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 45-të, duke vështirësuar dukshëm misionin e skuadrës së tij.
Pjesa e dytë nisi furishëm për Dritën, e cila shfrytëzoi epërsinë numerike. Pas disa rasteve të krijuara, në minutën e 50-të erdhi edhe goli i fitores. Kristal Abazaj u pozicionua saktë në zonë dhe me një goditje të bukur me kokë realizoi për 2-1.
Deri në fishkëllimën e fundit, të dyja skuadrat patën edhe disa raste për të shënuar, por rezultati mbeti i pandryshuar. Me këtë fitore, Drita fiton Superkupën e Kosovës për herë të tretë në historinë e klubit, duke konfirmuar edhe një herë statusin e saj si një prej skuadrave më të forta të futbollit kosovar./rajonipress/


