Koha për institucionet po shkurtohet
Së paku edhe dy javë kohë do t’i marrë procesi i rinumërimit të plotë të votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, për të filluar rrjedhja e afateve për ankesa.
Bazuar në Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme, palët kanë kohë 48 orë që në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të ankohen për administrimin e numërimit të votave.
Ky institucion, sipas ligjit, ka kohë 72 orë që të vendosë për ankesën e pranuar. E subjekti ankues ka edhe një mundësi tjetër ankese – në Gjykatën Supreme, e cila ka kohë pesë ditë për të vendosur mbi ankesat.
“Unë besoj që është mjaftueshëm kohë për t’i arritur të gjitha këto objektiva, po fakti që është dashur të rinumërohen të gjitha votat sikur ka ndjesinë e keqe. Për një hallkë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të komisionarëve të cilët konsideroj që duhet të trajtohen me superioritetin më të madh nga institucionet e drejtësisë”, ka thënë analisti Dorajet Imeri.
Ndërkohë, një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare vazhdojnë të presin miratimin e Kuvendit. Nga këndvështrimi analitik, pritet që partitë politike t’i kenë si prioritet.
“Te çështja e marrëveshjeve ndërkombëtare, thelbësore është që këto të bëhen me anë të një bashkëpunimi të madh ndërpartiak, pa u marrë merita për realizimin e tyre. Ato duhet të shihen si një projekt i përbashkët nga i cili përfiton Kosova. Në momentin kur ndonjëra palë tenton t’i marrë të gjitha meritat, atëherë do të hasim në një bllokadë të re”, ka thënë analisti Artan Muhaxhiri.
Analistët politikë paralajmërojnë se nëse zinxhiri i vonesave vazhdon, nga rinumërimi tek ankesat, certifikimi dhe konstituimi i Kuvendit, vendi mund të përballet me një krizë të thellë institucionale.
“Çështja e buxhetit dhe e marrëveshjeve ndërkombëtare janë një test i madh për vetëdijen politike dhe për ndërgjegjen e politikanëve tanë, sepse do të ishte e pamendueshme që të kishte mungesë bashkëpunimi për këto dy çështje jetike për Kosovën. Këto duhet të jenë dypartiake, sepse kanë të bëjnë me fatin e njerëzve dhe të ardhmen e Kosovës”, ka shtuar Muhaxhiri.
Shpejtësia me të cilën KQZ do ta përfundojë procesin e rinumërimit, shtimi i resurseve njerëzore dhe financiare që procesi të mbarojë më shpejt, krijimi i shumicës në Kuvend, formimi i qeverisë… vazhdojnë të mbesin sfidë.
Ndërkohë, që 4 marsi është afati i fundit për zgjedhjen e kreut të shtetit, pasi sipas Kushtetutës, presidenti i vendit duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual./rtk


