Ymeri: Dy aktakuza ndaj Nagip Krasniqit, korrupsioni nuk është vetëm përfitim personal
Analisti politik Visar Ymeri ka deklaruar se ndaj Nagip Krasniqi janë ngritur dy aktakuza, njëra që lidhet me tenderët dhe tjetra me shitblerjen e energjisë elektrike.
Ymeri tha se korrupsioni dhe dëmtimi i interesit të shtetit shpesh keqkuptohen në opinionin publik, duke u reduktuar vetëm në përfitimin financiar personal.
“Korrupsioni ose dëmtimi i interesit të shtetit nga pozita zyrtare nuk është vetëm marrja e parave dhe futja e tyre në xhep. Nëse veprimet e tua shkojnë në dëm të procedurave dhe të procesit ligjor, atëherë ti po e dëmton shtetin”, u shpreh Ymeri.
Ai theksoi se fenomeni i shkeljes së procedurave, me arsyetimin se veprimet bëhen “për të mirën e vendit”, duhet të diskutohet seriozisht brenda Lëvizjes Vetëvendosje.
“Sipas kësaj logjike, pretendohet se pasi ke votën e qytetarëve, të lejohet gjithçka, madje edhe shkelja e procedurave. Kjo është një qasje problematike”, tha Ymeri.
Në këtë kontekst, ai përmendi edhe rolin e Dejona Mihalit, duke theksuar se ajo ka një veçori të veçantë në këtë proces.
“Ajo është e vetmja në atë grup që nuk ka ndonjë pozitë formale, nuk është e punësuar as në korporata publike dhe as në institucione shtetërore. Megjithatë, nëse ajo ka pushtet, ai buron nga Albin Kurti”, deklaroi Ymeri.
Sipas tij, ky rast pasqyron mënyrën e funksionimit të brendshëm të Lëvizjes Vetëvendosje dhe raportin që kjo parti ka ndërtuar me institucionet publike.


