Fundamenti

Ambasadori i Suedisë bën thirrje për formim të shpejtë të qeverisë: Marrëveshjet me Serbinë duhet të zbatohen

/ 2 minuta lexim
ARKATANA

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, në një intervistë për agjencinë e lajmeve Ekonomia Online ka thënë se sa më shpejt duhet të formohen institucionet e Kosovës në mënyrë që të kryhen shumë punë të cilat nuk u kryen si shkak i mungesës së tyre.

Ai ka thënë se është e rëndësishme që të formohet një qeveri stabile, qoftë e vetme apo edhe e koalicionit.

“Nëse flasim për situatën parlamentare, mund të argumentohet se vrulli është humbur prej kohësh. Por le të fokusohemi te viti 2026-të. Zgjedhjet janë mbajtur, së shpejti do të kemi një qeveri të re dhe ka shumë çështje që duhen zgjidhur, veçanërisht sa i përket vendeve të punës, pensioneve dhe mirëqenies sociale. Për këto arsye, besoj se viti 2026 do të jetë një vit i mirë”, ka deklaruar Westerlund për EO.

Derisa përmend miratimin e buxhetit dhe kredive nga Banka Botërore, ambasadori suedez thekson se duhet të ecet përpara me dialogun Kosovë – Serbi.

Mobi Casa

“Natyrisht, nuk kam asnjë mendim se cila qeveri apo cili subjekt politik do të fitojë. Është gjithmonë mirë të kemi një qeveri stabile, qoftë ajo një qeveri koalicioni apo një qeveri e vetme. Duhet të miratohet buxheti, duhet të miratohen një sërë kredish nga Banka Botërore. Duhet të ecim përpara sa i përket dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, theksoi ai.

Ambasadori potencon se duhet të zbatohen marrëveshjet e arritura, ajo e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit.

“Mendoj se e ardhmja e Kosovës është shumë e ndritshme, si në aspektin e punësimit dhe zhvillimit të kompanive, ashtu edhe në lidhje me dialogun e normalizimit. Dialogu ka qenë në vazhdim që nga viti 2011. Kemi mbi 90 marrëveshje, përfshirë Marrëveshjen e Brukselit të shkurtit 2023 dhe aneksin e Ohrit. Këto marrëveshje duhet të zbatohen”, deklaroi ai për Ekonomia Online.