Dr. Selami Ramadani, autoritet profesional dhe ndërgjegje humane e ortopedisë në Gjilan
Gjilan – Ortopedi Dr. Selami Ramadani gëzon prej dekadash një autoritet të jashtëzakonshëm profesional dhe njerëzor në Gjilan, autoritet i ndërtuar jo vetëm mbi dijen mjekësore, por mbi parimet, etikën dhe përkushtimin e palëkundur ndaj pacientit. Edhe në vitet e rënda të okupimit, kur shëndetësia përballej me kufizime të skajshme, ai qëndroi pranë qytetarëve, duke përkrahur dhe trajtuar me dinjitet qindra pacientë, pa dallime dhe pa kushte.
Dr. Selami Ramadani njihet gjerësisht si mjek i parimeve të forta dhe i respektimit rigoroz të etikës mjekësore, duke qenë përherë në anën e pacientit, para, gjatë dhe pas luftës. Qasja e tij humane dhe komunikimi i drejtpërdrejtë me pacientët e kanë shndërruar në një nga mjekët më të dashur dhe më të besuar në rajon. Autoriteti i tij nuk buron nga pozita apo titujt, por nga modestia, profesionalizmi dhe ndjeshmëria e rrallë njerëzore.
“Unë jam i njëjtë për të gjithë pacientët dhe mundohem që dhimbjen e tyre ta ndiej në shpirt dhe në lëkurën time. Solidarizimi me pacientin në momentet më të vështira është ilaçi më i mirë në raportin mjek–pacient. Kjo është baza e shërimit dhe e besimit”, shprehet Dr. Ramadani, duke theksuar se përgjegjësia profesionale dhe përkushtimi njerëzor janë parime nga të cilat nuk ka devijuar asnjëherë.
Ai shton se këtë rrugë dëshiron ta vazhdojë edhe në të ardhmen, tashmë me një ndjenjë të veçantë krenarie, pasi trashëgimia profesionale po vazhdon në familje: “Jam edhe më i motivuar sot, kur shoh djalin tim, Faikun, që po ndjek me sukses rrugën e një fizioterapeuti të devotshëm, duke i shërbyer pacientit me seriozitet dhe etikë.”
Kontributi i Dr. Selami Ramadanit në fushën e ortopedisë është i jashtëzakonshëm. Ai llogaritet si njëri nga themeluesit e repartit të ortopedisë në Spitalin e Gjilanit dhe si një nga figurat kyçe në zhvillimin e kësaj disipline mjekësore në rajon. Përgjatë karrierës së tij, ai ka ndihmuar qindra familje, raste sociale, invalidë, veteranë dhe pacientë me kushte të rënda ekonomike, duke dëshmuar se mjekësia për të është mision dhe jo interes.
“Për mua nuk ka rëndësi paraja dhe as fama. E rëndësishme është që pacienti të ecë në këmbë të shëndosha dhe të ndihet i sigurt, i qetë dhe i respektuar pas çdo kontrolli apo udhëzimi që ia jap”, thekson në fund Dr. Ramadani.
Figura e tij mbetet shembull i mjekut profesionist dhe human, një emër që ka fituar respekt jo vetëm në institucione shëndetësore, por edhe në ndërgjegjen e qytetarëve të Gjilanit, si simbol i besimit, etikës dhe shërbimit të ndershëm ndaj shëndetit të njeriu.
Shoqata e Ortopedëve dhe Traumatologëve të Kosovës nderon me mirënjohje Dr. Selami Ramadanin për kontributin në zhvillimin e ortopedisë në Kosovë
Mjeku i njohur gjilanas në fushën e ortopedisë, Dr. Selami Ramadani, është nderuar me një Mirënjohje të Veçantë nga Shoqata e Ortopedëve dhe Traumatologëve të Kosovës, në vlerësim të kontributit të tij shumëvjeçar dhe të qëndrueshëm në zhvillimin dhe avancimin e ortopedisë në Kosovë.

Dr. Ramadani, i cili gëzon autoritet të lartë profesional dhe respekt të gjerë në regjion, e ka pranuar këtë mirënjohje si rezultat të punës së tij të palodhur ndër vite, në shërbim të pacientëve dhe të sistemit shëndetësor, veçanërisht në periudha të vështira për vendin.
Duke folur për këtë vlerësim, ortopedi Ramadani theksoi se mirënjohja përbën një motivim shtesë për të vazhduar angazhimin profesional në fushën e ortopedisë.
“Si profesionist i përkushtuar, si familjar i devotshëm dhe si njeri që jam munduar të jap një kontribut modest në shëndetësi, ndihem i nderuar dhe krenar për këtë mirënjohje. Kemi punuar në kushte jashtëzakonisht të rënda dhe të papërshtatshme, si gjatë kohës së luftës, ashtu edhe menjëherë pas saj, por gjithmonë me një qëllim të vetëm, shëndetin dhe dinjitetin e pacientit”, ka deklaruar Ramadani për Rajonipress.
Ai shtoi se këtë mirënjohje e konsideron si një vlerësim kolektiv dhe se ia dedikon me respekt të gjithë pacientëve të tij të shumtë në rajonin e Anamoravës, të cilët, sipas tij, kanë qenë dhe mbeten arsyeja kryesore e përkushtimit të tij profesional.
Figura e Dr. Selami Ramadanit mbetet një shembull i mjekut me integritet, përkushtim dhe etikë të lartë profesionale, ndërsa ky vlerësim institucional përforcon rolin e tij si një nga kontribuuesit kyç në zhvillimin e ortopedisë në Kosovë.
Ortopedi kosovar Selami Ramadani realizon autotransplantin e 129-të në botë dhe nderohet nga qendra spitalore spanjolle “Regenera Activa AMT”
Ortopedi i njohur kosovar, Dr. Selami Ramadani, ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në fushën e mjekësisë, duke kryer autotransplantin e 129-të në botë tek një pacient 42-vjeçar, përmes bashkëpunimit me qendrën spitalore spanjolle “Regenera Activa AMT”. Për shkak të rezultateve të shkëlqyera, qendra spitalore e ka certifikuar Dr. Ramadanin si operatorin kryesor për Kosovën dhe Maqedoninë, duke e vendosur në faqen e saj zyrtare ndërkombëtare përkrah 27 doktorëve me renome nga e gjithë Evropa.

Pas një karriere mbi 38 vjeçare, e mbushur me përkushtim dhe profesionalizëm, Dr. Selami Ramadani, një nga ortopedët më të respektuar në rajon, ka arritur të kryejë një ndërhyrje mjaft të rrallë dhe precize në gjurin e një pacienti. Suksesi i këtij autotransplanti jo vetëm që shënon një arritje personale, por përfaqëson një hap të madh për avancimin e ortopedisë në Kosovë.
“Më erdhi shumë mirë që më përzgjodhën mua. Për të kryer këtë operim, mjaftoi që ta shikoja procedurën një herë përmes ZOOM-it dhe më pas, me asistencën e mjekëve nga Spanja, ta realizoja me sukses tek një pacient 42-vjeçar nga Gjilani,” rrëfen Dr. Ramadani për rajonipress.
Pacienti kishte diagnozën Osteochondritis, dhe ndërhyrja përfshinte autotransplantin e një pjesë të kërciut nga veshit, i injektuar me gjilpërë. Procedura kryhet për 30 minuta, nën anestezion lokal dhe pa dhimbje, duke sjellë lehtësim të menjëhershëm për pacientin. “Pacienti ka kaluar shumë mirë, dhe kam marrë falënderime dhe telefonata nga e gjithë Kosova,” shton Dr. Ramadani.
Ky sukses ka një rëndësi të veçantë për ortopedinë në Kosovë, pasi tani pacientët mund të përfitojnë nga metoda që zvogëlon dhimbjet e gjurit dhe shmang përdorimin e injeksioneve të dhimbshme.
“Qendra spanjolle më ka certifikuar dhe më ka vendosur në faqen zyrtare (https://regenerapain.com/find-amt-treatment-provider), duke më renditur si operatorin kryesor për Kosovë dhe Maqedoni. Besoj shumë shpejt të sigurojmë edhe aparaturën e nevojshme, e cila është shumë e shtrenjtë, por që do të mundësojë që pacientët tanë të ndihen shumë më të rehatshëm pas ndërhyrjes,” përfundon Dr. Selami Ramadani.
Dr. Ramadani, i njohur për përkushtimin, etikën profesionale dhe humanizmin e tij, vazhdon të jetë një figurë qendrore në avancimin e ortopedisë dhe trajtimin e pacientëve në rajon./rajonipress/


