Polarizimi politik dhe ndarja shoqërore: Pasoja afatgjata për Kosovën
Nga Shefik Sadiku – Polarizimi politik që u shfaq para dhe pas zgjedhjeve të 28.12.2025 në Kosovë përbën një rrezik serioz për kohezionin shoqëror dhe funksionimin demokratik të shtetit. Ndarja e qytetarëve në “Ne” dhe “Ata”, si brenda vendit ashtu edhe mes qytetarëve dhe mërgatës, krijon armiqësi që shkon përtej politikës ditore.
Kur një parti tenton të përvetësojë mërgimtarët si pronë elektorale dhe i paraqet si të vetmit mbështetës legjitimë, kurse partia tjetër i paraqet mërgimtarët si të manipuluar nga X partia, kjo ushqen përjashtimin dhe mosbesimin. Po ashtu, akuzat ndaj opozitës se nuk i do mërgimtarët thellojnë edhe më shumë hendekun shoqëror.
Nga ana tjetër, etiketimi i mërgimtarëve si të painformuar, dhe krekosja e disa prej tyre se janë “më të ditur” se qytetarët që jetojnë çdo ditë realitetin e Kosovës, prodhon përçmim të ndërsjellë. Ky përçmim dëmton solidaritetin kombëtar dhe dobëson ndjenjën e përkatësisë së përbashkët.
Polarizimi i tillë i bën qytetarët më të ndjeshëm ndaj manipulimit politik dhe e zhvendos vëmendjen nga problemet reale si ekonomia, arsimi dhe sundimi i ligjit.
Në plan afatgjatë, këto ndasi mund të zgjasin me vite apo dekada, duke e bërë dialogun shoqëror gjithnjë e më të vështirë. Shoqëria humb aftësinë për kompromis, ndërsa institucionet dobësohen nga presioni i vazhdueshëm politik.
Në vend të unitetit dhe bashkëpunimit, mbizotëron konfliktualiteti, i cili e pengon zhvillimin dhe stabilitetin e vendit. Prandaj, polarizimi politik nuk është vetëm problem momental, por një plagë e thellë që rrezikon të ardhmen e Kosovës nëse nuk adresohet me përgjegjësi dhe maturi.
Sidoqoftë ky polarizim që, vështirë tejkalohet shpejt i ka rrënjët jo mirë të menduara për pasojat e mundshme që nga themelimi i partive politike në mërgatë. Qytetarët tanë, mërgimtarë, në Perëndim do të duhej të organizoheshin në klube e shoqata dhe asesi në parti politike.
Politika përçan, kultura dhe arti bashkon!

