Sadik Jashari, luftëtari pa kufij, i të gjitha trojeve shqiptare, një emër që nuk u përkiste kufijve, por kombit
Gjilan – Sadik Jashari ishte më shumë se një veprimtar apo luftëtar i një kohe të caktuar. Ai ishte njeri i misionit kombëtar, i përkushtimit pa kushte dhe i veprimit pa kufij. Me fjalë, me penë dhe me pushkë sipas kërkesës së kohës, Sadik Jashari u shndërrua në simbol të atdhetarit që nuk njeh ndarje gjeografike, por vetëm idealin e lirisë dhe bashkimit kombëtar.
Një emër që nuk u përkul kurrë, një ideal që nuk u shua
Ka njerëz që jetojnë vetëm për veten dhe ka të tjerë që jetojnë për kombin. Sadik Jashari ishte nga ata të dytët, i lindur në Medvegjë, por i përket çdo pëllëmbe toke shqiptare. Jeta e tij nuk u mat me vite, por me sakrifica, nuk u përcaktua nga kufijtë, por nga ideali. Me fjalë, me penë dhe me pushkë, sipas nevojës së kohës, ai u shndërrua në simbol të atdhetarit që nuk pranon nënshtrim dhe nuk njeh kompromis me lirinë. Edhe sot, pas ndarjes së tij fizike, emri Sadik Jashari vazhdon të flasë fuqishëm për guxim, përkushtim dhe dashuri të pakufishme për trojet shqiptare.
Siç ka vlerësuar Hydajet Hyseni, veprimtaria e Sadik Jasharit kishte shtrirje në gjithë hapësirën shqiptare: në Kosovën e robëruar dhe jashtë saj, në Medvegjën e tij dhe kudo ku rrezikohej e drejta shqiptare. Ai ishte luftëtar i të gjitha trojeve, jo i një territori të vetëm.
Jeta dhe rrugëtimi atdhetar
Sadik Jashari (1947-2003), me prejardhje nga Medvegja, ishte veprimtar, atdhetar dhe trim i pashoq për çlirimin e trojeve shqiptare. Sot, edhe pas më shumë se dy dekadash nga ndarja e tij fizike nga jeta, figura e tij mbetet e gjallë në kujtesën kombëtare si një nga strategët dhe idealistët më konsekuentë të çështjes shqiptare.
Ai ishte pjesëmarrës aktiv në shumë ngjarje historike dhe i përfshirë drejtpërdrejt në të gjitha luftërat shqiptare të kohës, duke mbajtur me krenari stemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më pas, angazhimi i tij vazhdoi edhe në Këshillin Politik të UÇPMB-së, ku Sadik Jashari u dallua për qëndrime të qarta, të drejta dhe të palëkundura.
Qëndrime të forta përballë Serbisë
Sadik Jashari njihej për mendimin e mprehtë dhe guximin politik. Në bisedimet e zhvilluara me palën serbe, ai nuk hezitoi të përballej drejtpërdrejt me figurat më të larta të Beogradit. Ish-ministrit serb Nebojsha Qoviq i kishte thënë pa ekuivoke:
“Nuk kam tokë tepër për t’ia dhënë Serbisë.”
Kjo fjali përmbledh më së miri filozofinë e tij politike dhe atdhetare, asnjë pëllëmbë tokë, asnjë kompromis në dëm të interesit kombëtar.
Vlerësimet e bashkëveprimtarëve
Hydajet Hyseni: Luftëtar që nuk njihte kufij
Hydajet Hyseni ka theksuar se mënyra më e mirë për të nderuar figura si Sadik Jashari është ecja në rrugën e tyre dhe realizimi i ëndrrës për të cilën ata sakrifikuan jetën.
“Ai ishte luftëtar i gjithanshëm, me fjalë, me penë, me pushkë sipas kërkesës së kohës. Ishte nga ata luftëtarë atdhetarë pa kufij, prandaj edhe veprimtaria e tij kishte shtrirje gjithandej hapësirës shqiptare, në Kosovë, në Medvegjë dhe jashtë saj,” kishte thënë Hyseni në një akademi përkujtimore.
Jonuz Musliu: Argat i përjetshëm i atdheut
Edhe bashkëluftëtari i tij, Jonuz Musliu, e ka cilësuar Sadik Jasharin si “argat të përhershëm të atdheut”.
Sipas Musliut, ideali i Sadik Jasharit dhe shokëve të tij ishte bashkimi i trojeve shqiptare – një ideal për të cilin, sipas tij, nuk u bë luftë e plotë kombëtare.
“Sadikun e njoha në kohën më të vështirë, kur Kosova Lindore kishte nevojë për trima e atdhetarë që ta organizonin dhe mbështesnin. Ai dha kontribut maksimal në luftën e UÇK-së, por një pjesë e tokës shqiptare mbeti ende nën okupim,” kishte theksuar Musliu.
Trashëgimia e një figure kolosale
Ta kujtosh Sadik Jasharin nga Medvegja do të thotë të nderosh një figurë kolosale të historisë sonë moderne, një burrë që tërë jetën e tij intelektuale dhe politike ia kushtoi Kosovës dhe çështjes kombëtare shqiptare. Ai nuk u ndal asnjëherë, nuk u lodh dhe nuk u tërhoq, pavarësisht rrethanave.
Sadik Jashari ishte pasardhës i gjeneralit Veli Dedi dhe trashëgoi prej tij jo vetëm gjakun, por edhe frymën atdhetare, dijen dhe guximin për të ndjekur rrugën e vështirë të shërbimit ndaj kombit.
I përjetshëm në idealin kombëtar
Megjithëse nga Medvegja, Sadik Jashari ishte i tërë trojeve shqiptare. Veprimtaria e tij nuk njeh kufij as sot, sepse ajo jeton në idealin për të cilin luftoi. Ai mbetet strateg, patriot dhe dëshmor moral i të gjitha hapësirave shqiptare, një emër që historia nuk e harron dhe që brezat do ta kujtojnë si shembull të përkushtimit absolut ndaj kombit./rajonipress/



