Osmani: Partneriteti me NATO-n jetik për paqen në Kosovë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se siguria e vendit mund të garantohet vetëm përmes angazhimit të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit me partnerë të besueshëm ndërkombëtarë.
Ajo i bëri këto deklarata gjatë një takimi me Komandantin e misionit të KFOR-it, Özkan Ulutaş, të cilin e falënderoi për lidershipin e tij dhe për rolin e rëndësishëm që KFOR-i luan në garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa asnjë dallim.
Statusi i saj i plotë:
Siguria garantohet me angazhim të përditshëm dhe partnerë të besueshëm.
Në takim me Komandantin e KFOR-it, Özkan Ulutaş, e falënderova për lidershipin e tij dhe për rolin e KFOR-it në funksion të sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim.
Bashkëpunimi i ngushtë me NATO-n mbetet thelbësor për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë e rajon, e në veçanti përballë veprimeve të vazhdueshme destabilizuese të Serbisë.


