Kur mërgimtari bëhet shtyllë e arsimit: Sevdail Haziri rikthen shpresën në Suharnë
Gjilan – Në kohën kur shumëkush harron rrënjët, ka njerëz që i mbajnë ato gjallë me vepra. Sevdail Haziri, mërgimtar nga Suharna, po dëshmon edhe një herë se dashuria për vendlindjen nuk matet me fjalë, por me investime konkrete që prekin të ardhmen. Këtë herë, kontributi i tij ka marrë formën më fisnike: investim në arsim.
I njohur për humanizmin dhe përkushtimin e tij të vazhdueshëm ndaj vendlindjes, Haziri së fundmi ka financuar renovimin e shkollës fillore “Skënderbeu” në Suharnë, e cila ishte në gjendje të rëndë infrastrukturore. Vlera e investimit kap shifrën mbi 8 mijë euro, të dedikuara për ndërrimin e dyerve, dritareve dhe roletave, duke krijuar kushte më të sigurta dhe më dinjitoze për nxënësit dhe mësimdhënësit.
“Isha vetë në fshat dhe kur e pashë shkollën në atë gjendje u trondita. Pa humbur kohë, vendosa të ndërmarr hapat e parë për ta rregulluar. Arsimi është dritë dhe shpresë për shqiptarët, dhe çdo investim në këtë fushë është një gur i çmuar për të ardhmen e fëmijëve tanë”, ka deklaruar Haziri.
Ky veprim nuk është i izoluar. Përkundrazi, ai është vazhdimësi e një angazhimi të gjatë dhe të sinqertë të Sevdail Hazirit për zhvillimin e Suharnës dhe të Malësisë së Bujanocit. Përveç arsimit, ai ka kontribuar edhe në infrastrukturë, rrugë dhe furnizim me ujë, duke vendosur çezme përgjatë rrugëve, të cilat u shërbejnë çdo ditë banorëve dhe kalimtarëve.
“Shpresa ime është ta zgjojmë Malësinë e Bujanocit, fshatrat e saj dhe t’u japim gjallëri. Këtë e kemi borxh ndaj gjeneratave të reja”, shprehet Haziri, duke e parë kontributin e tij jo si bamirësi, por si detyrim moral ndaj tokës prej nga ka dalë.
Në një realitet ku arsimi shpesh mbetet në margjinë, veprime si këto janë shembull frymëzues se si një individ mund të bëjë dallimin.
Sevdail Haziri, me zemër të madhe dhe vizion të qartë, po dëshmon se investimi në dije është investimi më i sigurt për të ardhmen e një populli./rajonipress/





