UBT

Enver Sadiku, zëri i sportit gjilanas, gazetari më i mirë sportiv për vitin 2025

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Gjilan – Në një qytet ku sporti është pasion, identitet dhe frymë e përditshme, rrallëherë lindin zëra që arrijnë ta përkthejnë këtë emocion në fjalë të sakta, të ndershme dhe të qëndrueshme. Një prej atyre zërave që prej më shumë se dy dekadash ka rrëfyer historinë e sportit gjilanas me përkushtim, etikë dhe profesionalizëm, është Enver Sadiku. Emri i tij tashmë është sinonim i gazetarisë sportive serioze, i raportimit të balancuar dhe i respektit ndaj sportistit, klubit dhe lexuesit.

Me 26 vite përvojë të pandërprerë në gazetari, që nga numri i parë i gazetës “Zëri” e deri te angazhimi i tij tash e një dekadë në portalin kryelajmi.com, Enver Sadiku ka ndërtuar një karrierë të qëndrueshme dhe të besueshme në raportimin sportiv.

Pikërisht ky angazhim afatgjatë, ky integritet profesional dhe ky pasion i palëkundur për sportin e bëjnë atë të vlerësohet si gazetari më i mirë sportiv në Gjilan për vitin 2025, një mirënjohje që vjen natyrshëm si rezultat i punës së tij të palodhur dhe kontributit të çmuar në informimin korrekt të opinionit sportiv.

Përmes analizave të thelluara, raportimeve të sakta nga terreni dhe shkrimeve me standarde të larta profesionale, Enver Sadiku ka qenë për vite me radhë zë i besueshëm i sportit gjilanas. Ai ka përcjellë me përkushtim zhvillimet e klubeve lokale, duke ruajtur gjithmonë objektivitetin dhe etikën gazetare.

Uji Dea

Ky çmim nuk është vetëm një mirënjohje personale, por edhe një vlerësim për gazetarinë sportive cilësore në Gjilan. Me pasionin e tij për sportin dhe fjalën e shkruar, Enver Sadiku vazhdon të jetë shembull për gjeneratat e reja të gazetarëve dhe një kontribuues i rëndësishëm në jetën sportive dhe mediatike të qytetit.

Në ceremoninë e marrjes së mirënjohjes, gazetari Enver Sadiku me një fjali të shkurtër tregoi modestinë e tij, duke theksuar se “kjo mirënjohje shkon për të gjithë kolegët e tij dhe se ai është vetëm njëri prej tyre”.

Zgjedhja e tij si gazetari më i mirë sportiv konfirmon reputacionin e ndërtuar me vite dhe e forcon më tej rolin e tij si një nga figurat më të respektuara të gazetarisë sportive lokale.

Ndryshe, Enver Sadiku shumë shpejt pritet të dalë me monografinë “Derbi Drita – Gjilani (1995 – 2025)”, libër në të cilin ai ka paraqitur të gjitha kryendeshjet e zjarrta të derbit më të madh në Kosovë./rajonipress/