ARKATANA

Shqiptarja nga Kosova doktoron në SHBA me studim mbi krimet e luftës

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Valeza Ukaj Elshani përfundon doktoratën në Clemson University, në SHBA.

Profesoresha kosovare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, Valeza Ukaj Elshani, ka përfunduar me sukses studimet e doktoratës në Clemson University në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku javën e kaluar u mbajt ceremonia zyrtare e diplomimit doktoral, shkruan albinfo.ch.

Tema e doktoratës së saj trajton implikimet ligjore të dhunës seksuale të ushtruar nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, një çështje e ndjeshme dhe me rëndësi të veçantë për drejtësinë tranzicionale dhe të drejtën ndërkombëtare humanitare. Me kërkesë të komitetit doktoral, hulumtimi është zgjeruar për të përfshirë edhe rastet e ngjashme në Bosnje-Hercegovinë dhe Kroaci, duke ofruar një analizë krahasuese të krimeve të luftës në rajon.

Uji Dea

Studimi ka impresionuar komitetin doktoral jo vetëm për qasjen e thelluar akademike dhe rigorozitetin shkencor, por edhe për rëndësinë praktike që ka në dokumentimin, analizën ligjore dhe adresimin e krimeve të dhunës seksuale në konfliktet e armatosura, veçanërisht në kontekstin e Kosovës.

Dokumentimi sistematik i këtyre rasteve dhe analiza e pasojave të tyre ligjore përbëjnë një kontribut thelbësor për Kosovën e pasluftës, duke ndihmuar në ndërtimin e mekanizmave të drejtësisë, kujtesës kolektive dhe përgjegjësisë institucionale.

Kjo punë shkencore konsiderohet një bazë e rëndësishme referimi për studiuesit e rinj, juristët, historianët, si dhe për të gjithë ata që në të ardhmen do t’i kthehen kësaj tematike në kuadër të studimeve akademike dhe proceseve ligjore ndërkombëtare. /Albinfo.ch.