Pritjet e Vokrrit për edicionin që nis në izolim e mund të sigurojë Evropën
Kryetari i FFK-së pret luftë të madhe për titull si dhe ngritje të cilësisë së futbollit kosovar. Ai është i kënaqur me edicionin e kaluar, ndërsa pret që edicioni i ri të jetë edhe më i mirë. Motiv shtesë për skuadrat, sipas Fadil Vokrrit, është pritshmëria që edicioni të jetë kualifikues për gara evropiane.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, pret shumë nga edicioni 2015/16 i Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll. Vokrri të martën në një intervistë për gazetën ka thënë se ky edicion që nis këtë të shtunë do të jetë njëri prej më të mirëve deri më tani, si për nga cilësia ashtu edhe për nga konkurrenca për titullin e kampionit, shkruan sot KOha Ditore.
Ai thotë se rivaliteti do të jetë i madh dhe të gjitha këto shenja sinjalizojnë ngritjen e cilësisë të futbollit kosovar.
“Pikë së pari nga edicioni i ri pres ngritje të cilësisë. Edicioni i fundit ishte interesant, pasi titulli i kampionit u vendos në xhiron e fundit, por ky edicion do të jetë edhe më interesant”, shprehet Vokrri, legjenda e futbollit kosovar. “Shumica e skuadrave janë përforcuar mirë dhe rivaliteti do të jetë shumë i madh”.
Krahas cilësisë dhe rivalitetit, në këtë edicion skuadrat janë paralajmëruar se do të luajnë për garat evropiane, në të cilat do të inkuadrohen për edicionin 2016/17. Sipas Vokrrit, pjesëmarrja e klubeve të Kosovës në garat ndërkombëtare nuk do të jetë problem, nëse Kosova pranohet në muajin mars të vitit 2016 në UEFA, e që gjasat janë më se të mëdha që kjo të ndodhë.
http://koha.net/?id=6&l=71285


