Hidromorava

EVSB apelon për ndalim të përdorimit të fishekzjarrëve gjatë festave të Vitit të Ri

/ 2 minuta lexim
ARKATANA

Viti – Ekipi i Veprimit për Siguri në Bashkësi (EVSB) ka apeluar sot qytetarët që të përmbahen nga përdorimi i fishekzjarrëve dhe mjeteve të tjera piroteknike gjatë festave të Vitit të Ri, duke theksuar se ato nuk janë lodra dhe mund të shkaktojnë pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e njerëzve.

Sipas EVSB-së, përdorimi i piroteknikës është rreptësishtë i ndaluar me ligj, pasi përbën rrezik të madh, veçanërisht për të rinjtë, dhe mund të lërë pasoja afatgjata fizike dhe psikologjike. Apeli vjen në një periudhë kur përdorimi i fishekzjarrëve është më i shpeshtë, sidomos në prag të ndërrimit të viteve.

EVSB, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës (PK), ka ndërmarrë aktivitete të vazhdueshme me intensitet të shtuar në fundvit, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit te të rinjtë dhe prindërit për rreziqet dhe dëmet që mund të shkaktojë përdorimi i mjeteve piroteknike.

Nga EVSB u rikujtohet qytetarëve se ekzistojnë dispozita të qarta ligjore që sanksionojnë përdorimin dhe shitjen e paligjshme të piroteknikës, ndërsa shkelësit e ligjit do të përballen me masa ndëshkuese.

Në veçanti, prindërit janë ftuar që të mos blejnë fishekzjarrë për fëmijët e tyre, pasi këto mjete mund të shkaktojnë lëndime serioze, madje edhe pasoja tragjike për shëndetin dhe jetën e tyre.

Uji Dea

EVSB u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë rregulloret ligjore, të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe të raportojnë çdo shkelje të rendit dhe qetësisë publike në stacionin më të afërt policor ose përmes numrave kontaktues:

• 028 038 1199 – Stacioni Policor i Komunës së Vitisë

• 192 – Policia e Kosovës

• 0800 19 999 – Linjë anonime, pa pagesë dhe konfidenciale

Koordinatori i EVSB-së për Komunën e Vitisë, Imri Emërllahu, thekson se siguria e qytetarëve duhet të jetë prioritet dhe se festat duhet të kalohen në qetësi, pa rrezikuar jetën dhe shëndetin e askujt./rajonipress/