Performancë ndërkombëtare teatrore mbi dashurinë e Halilit dhe Haidit
Gjilan – Kjo shfaqje teatrale që ka në një kastë të përzier të aktorëve, shqiptarë e zvicerane do të prezantohet në Bazel të Zvicrës prej 28 deri më 31 gusht. “Der besuch aus Gjilan, Kosovo”, apo “Vizita në Bazel, Zvicër”, është titulli i këtij projekti që ka bashkuar tre institucione kulturore MedienFalle + TheaterFalle, Teatri Gjilan-it dhe Varg e vi – Center for contemporary art janë tre institucionet të cilat kanë punuar në një projekt të vetëm teatral i cili do të prezantohet në fund të muajit gusht në Zvicër, me ç’rast trupa nga Gjilani do të udhëtoj për në Basel me datën 20 Gusht 2015 ku do të fillojnë me provat e shfaqjes, premiera e së cilës jepet me datë 28 Gusht të këtij viti.
Në këtë shfaqje me rolet e tyre luajnë aktorët e teatrit te Gjilanit : Avni Shkodra, Kushtrim Qerimi e Alban Shahiqi, ndërsa Rolf Brügger, Ursina Gregori e Ridvan Murati nga Theatre Falle.
Noemie Schwank është angazhuar në këtë shfaqje si muzikante, Kushtrim Zeqiri si artist vizuel, ndërsa projekti mbikëqyret nga Ali Demi si përfaqësues i teatrit të Gjilanit dhe konsulent së bashku me skenaristin dhe regjisorin Roland Sutter.
Halili, djali nga Kosova, të cilin e luan aktori Ridvan Murati, është në lidhje dashurie me Haidin zvicerane, rol i luajtur nga Sabine Schädler. Familja dhëndrit kosovar udhëton për vizitë te familja e nuses në Zvicër, vizita e të cilëve rezulton me sfidat e tyre, stereotipet apo limitet e njohjes së kulturës zvicerane, vështirësitë fillestare se si të sillen me një familje të huaj, etj., pasi që djali i tyre tashmë u bë urë lidhëse e komunikimit jo vetëm ndërmjet dy familjeve, por ndërmjet dy kulturave të ndryshme.
Në anën tjetër, paragjykimet e familjes zvicerane për familjen kosovare, brengat për pasurinë e çiftit, takimi i familjeve në mes veti, çastet komike që rrjedhin nga mosnjohjet dhe keqkuptimet fillestare, pengesat në komunikimin gjuhësor, e tjerë e tjerë, janë disa pjesë që kanë funksionuar për mrekulli që të ndërtohet një ngjarje atraktive, kreative dhe komike.
Ky projekt është përkrahur nga Komuna e Gjilanit dhe kantoni i Baselit.
Rezervimi i biletave bëhet përmes sajtit ëëë.theaterfalle.ch dhe numri është i kufizuar thuhet ne njoftimin e teatrit./rajonipress/


