Faruk Nura, personalitet me vlera të shumëfishta dhe përfaqësim dinjitoz për Anamoravën
Viti – Faruk Nura po hyn në garën zgjedhore si kandidat për deputet me një profil të ndërtuar mbi guximin, integritetin dhe përkushtimin afatgjatë ndaj çështjes kombëtare dhe zhvillimit të Kosovës. I vlerësuar si figurë e denjë për të përfaqësuar Anamoravën në Kuvend, Nura sjell me vete një përvojë të gjerë politike, ushtarake dhe ekonomike, që e bën atë një nga kandidatët më seriozë në këtë garë.
Kontributi i tij daton që nga koha e presidentit historik Ibrahim Rugova, duke qenë pjesë aktive e proceseve kyçe të lirisë, pavarësisë, shtetndërtimit dhe zhvillimit ekonomik. Krahas angazhimit politik, Faruk Nura është dalluar edhe për veprimtarinë e tij humanitare dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj komunitetit.
I njohur si një profil i kompletuar publik, ish-luftëtar i lirisë, biznesmen i suksesshëm dhe veprimtar i palodhur, Nura përfaqëson ndërthurjen e vlerave atdhetare me vizionin modern të zhvillimit.
Ai ishte pjesë e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe shërbeu nën komandën e figurave të njohura ushtarake, kolonel Ahmet Krasniqi dhe gjeneral Halil Bicaj, duke dhënë kontribut në një luftë që u kurorëzua me liri.
Angazhimi i tij në LDK e Vitisë vjen si vazhdimësi e idealeve të hershme mbi të cilat u ndërtua kjo parti, në një kohë kur Kosova kishte nevojë për guxim, vizion dhe unitet për çlirim dhe shtetformim.
Sot, Faruk Nura synon të sjellë të njëjtin përkushtim në fushën e politikës institucionale, duke u angazhuar për reforma konkrete, zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe përfaqësim dinjitoz të Kosovës brenda dhe jashtë vendit.
Me disiplinën e formimit ushtarak, përvojën e jetës publike dhe ndjeshmërinë ndaj nevojave të qytetarëve, Faruk Nura pritet të jetë një zë i fuqishëm në Kuvend dhe në arenën ndërkombëtare, në shërbim të interesave të Kosovës dhe qytetarëve të saj./rajonipress/






