Nderim për 35 dhe 25 vite shërbim – për çiftin Minire dhe Rabit Xhelili
Gjilan – Ka njerëz që nuk e zgjedhin thjesht një profesion, ata zgjedhin një mision. Të tillë janë Minire dhe Rabit Xhelili, dy zemra të përkushtuara që për dekada të tëra i kanë shërbyer popullit me humanizëm, guxim dhe përkushtim të pashoq.
Minire Xhelili, motër medicinale, për 35 vite ka shëruar, ka lehtësuar dhimbje dhe ka sjellë qetësi në zemrat e shumë familjeve.
Ajo ka qenë mbështetje e pashtershme për pacientët, një dritë shprese për çdo njeri që ka kërkuar ndihmën e saj.
Rabit Xhelili, rreshter në Policinë e Kosovës, për 25 vite ka shërbyer me nder, me disiplinë dhe me ndjenjën e lartë të përgjegjësisë ndaj shoqërisë.
Me uniformën e tij ai ka mbrojtur paqen, sigurinë dhe vlerat që na mbajnë të lirë. Por rrëfimi i tyre nuk mbaron këtu.
Gjatë kohës së luftës, Minirja dhe Rabiti qëndruan krah për krah duke u shndërruar në mburojë për njerëzit në nevojë.
Në fshatin e tyre, ku ishin të stacionuar refugjatë të ardhur nga komuna e Skenderajt dhe Drenicës, ata ofruan ndihmë pa u lodhur.
Minirja, me duart e saj të arta, u kujdes me sakrificë për ushtarët e plagosur, për gratë shtatzëna dhe për çdo njeri që kishte nevojë për trajtim e shpresë.
Ndërkohë Rabiti u gjend gjithmonë aty, duke siguruar rendin, mbështetjen dhe çdo ndihmë të mundshme për popullin e vuajtur.
Së bashku, ata u bënë shembull i humanizmit dhe trimërisë, një dritë në ditët më të errëta, një forcë që i dha jetë shpresës.
Sot, pas dekadave të shërbimit të tyre të paepur, Minire dhe Rabit Xhelili meritojnë respektin dhe mirënjohjen e gjithë komunitetit.
Vepra e tyre mbetet dëshmi e sakrificës, dashurisë për njerëzit dhe përkushtimit ndaj vendit. Nderim i përjetshëm për çiftin Minire dhe Rabit Xhelili, për zemrën, guximin dhe shërbimin e tyre shembullor ndaj popullit!/rajonipress/


