Lumnije Kqiku: Historia e një suksesi që tejkalon kufijtë dhe nderon Kosovën
Gjilan – Prof. Dr. Lumnije Kqiku përfaqëson një nga figurat më emblematike të suksesit akademik dhe profesional të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare. Rrugëtimi i saj prej Gjilanit deri në pozitat më të larta të mjekësisë europiane është një dëshmi e fuqisë transformuese të dijes, këmbënguljes dhe integritetit profesional. E formuar në Universitetin e Gracit dhe e specializuar në endodonci e traumatologji dentare, ajo ka ndërtuar një karrierë të ngjeshur me arritje, duke u bërë pjesë e platformave më prestigjioze akademike në botë.
Lumnije Kqiku-Biblekaj është shndërruar në një nga figurat më të ndritura të mjekësisë ndërkombëtare, duke u bërë simbol i guximit, dijeve të thelluara dhe përkushtimit akademik.
E lindur në Gjilan dhe e formuar profesionalisht në Graz të Austrisë, ajo sot cilësohet si një ndër emrat më të rëndësishëm të endodoncisë moderne dhe traumatologjisë dentare në Evropë dhe jo vetëm, ndërsa rrugëtimi i saj mishëron shembullin e një gruaje që me sakrificë dhe punë të palodhur ka arritur majat e shkencës.
Ajo gëzon reputacion të jashtëzakonshëm si kliniciste dhe pedagoge, e vlerësuar për kompetencën profesionale, qasjen humane dhe aftësinë për të menaxhuar raste të ndërlikuara klinike me përkushtim të rrallë.
Në rrugën drejt suksesit, Kqiku ka tejkaluar sfida të shumëfishta që lidhen me migrimin akademik, konkurrencën ndërkombëtare dhe balancimin e jetës private me karrierën shkencore. Ajo vetë e përshkruan këtë sfidë si një proces të gjatë sakrifice, të cilin e ka mbështetur energjia krijuese e gruas dhe solidariteti i familjes.
Mesazhi i saj për të rinjtë dhe gratë shqiptare është i qartë, vetëbesimi, qëndrueshmëria dhe angazhimi i pandalshëm janë çelësat e çdo arritjeje të qëndrueshme.
Vlerësimet e shumta ndërkombëtare, si “Personalitet nderi me medalje të artë” nga qyteti i Grazit apo përfshirja në mesin e 100 mjekëve më të mirë në botë, dëshmojnë jo vetëm për arritjet individuale të Dr. Kqikut, por edhe për mënyrën se si ajo e ka lidhur suksesin personal me përfaqësimin dinjitoz të Kosovës.
Kqiku është Kryetare e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Austri (SHMSHA ) si dhe prof. vizitore në UP ( Universitetin e Prishtinës)
E përkushtuar ndaj vendlindjes, ajo ka kontribuar edhe institucionalisht në sektorin e shëndetësisë në Kosovë, duke dëshmuar se kthimi i dijes në shërbim publik është forma më e lartë e atdhedashurisë.
Në këtë kuptim, Kqiku nuk përfaqëson vetëm një histori personale triumfi, por një model të përgjithshëm të fuqizimit profesional, akademik dhe shoqëror.
Ajo është dëshmi se talenti, i kombinuar me mund dhe integritet, mund ta ngrejë zërin dhe imazhin e një kombi në skenën globale të shkencës.
Suksesi i saj është një thirrje inspiruese për gjeneratat e reja që duan të ecin drejt majave, pa e harruar prej nga kanë ardhur./rajonipress/


