Figura të ndritura, atdhetari për të cilin flet heshtja
Nga Ismet Rashiti – Qe shumë kohë, disi vetvetiu, e kam bartur si guri të lidhur në qafë mungesën e një shkrimi për një veprimtar të heshtur, por shumë të përkushtuar për çështjen kombëtare. Është ky Aqif Krasniqi, i njohur edhe si Aqif Dajkoci, i cili prej shumë vitesh jeton në Gjilan si një guri i rënd që peshon në vendin e vet. Atdhetar i palëkundër, modest deri nē fund, mikëpritës dhe i afërt me të gjithë.-
Në fund të viteve ’70, mërgata shqiptare në Zvicër ishte pothuajse krejtësisht e paorganizuar. Përkundër numrit të madh të shqiptarëve që jetonin e punonin në këtë shtet, ekzistonte vetëm një seksion shqiptar në kuadër të klubit serb “Slloga” në Cyrih. Ndërkohë, për komunitetin serb, ambasadat jugosllave, qendra të propagandës antishqiptare – kishin hapur mëse gjashtëdhjetë klube, kryesisht serbe. Edhe numri i klasave të mësimit plotësues në gjuhën shqipe ishte tejet simbolik, thuajse sa për sy e faqe.
Me ardhjen e Kadri Zekës në Zvicër kishte filluar të organizohen bërthamat e para të organizimit të fshehtë. Njëra nga celulat e para ishte ajo e treshes: Hasan Malaj, Aqif Krasniqi dhe Rrahman Dermaku, në rrethin e St. Gallenit.
Pas demonstratave të pranverës së vitit 1981, me iniciativën e Kadri Zekës nisën lëvizjet e para për mobilizimin e mërgatës në mbështetje të kërkesave të studentëve ,dhe të popullit shqiptar për Republikën e Kosovës. Filluan përgatitjet për organizimin e demonstratave dhe themelimin e klubeve të pavarura patriotike shqiptare, të cilat u bënë strehë e zërit të lirë dhe e idealit kombëtar.
Njëri nga veprimtarët e orëve të para ishte punëtori i paepur e besnik, patrioti i heshtur por i palodhur, Aqif Krasniqi nga fshati Dajkoc, me banim në Gjilan. Aqifi ose “baca Aqif”, siç e thërrasim me respekt edhe sot ishte krah i djathtë i Kadri Zekës. Ai ndihmonte aty ku kishte nevojë më së shumti: pa zhurmë, pa bujë, pa kërkuar lavdi e as duartrokitje. Fjalëpak, por punë shumë; njeri i urtë, i dashur, i thjeshtë dhe besnik deri në vetëmohim.
Ai ishte ndër organizatorët dhe pjesëmarrësit më të rregullt në të gjitha demonstratat dhe tubimet për Republikën e Kosovës në Zvicër dhe kudo tjetër ku ngrihej zëri për lirinë.
Nga ana tjetër, shtëpia e Aqif Krasniqit në Gjilan ishte bërë një vatër e fortë atdhetarie, një strehë e sigurt për veprimtarët e lirisë, ku gjenin mbrojtje në ditët më të vështira. Aty ishin strehuar për ditë të tëra Rexhep Malaj dhe Hilmi Ramadani. Falë kujdesit dhe besnikërisë së familjes Krasniqi, edhe sot, pas shumë dekadash, dihet se aty mbaheshin të sigurta gazeta, libra dhe materiale të ndryshme të nevojshme për çlirimin e Kosovës.
Materialet që dërgonte Zijah Shemsiu deri te bunari i Përlepnicës, Aqifi me migjen e tij, Bajram Krasniqi, i merrnin me kamion dhe i fshehnin në vende të sigurta, sipas porosisë së Rexhep Malajt.
Pas rënies heroike të Rexhep Malajt dhe fillimit të përndjekjeve nga UDB-ja ndaj shumë atdhetarëve, Ali Malaj, nipi i Rexhepit, u strehua pikërisht në familjen Krasniqi derisa arriti të arratisej jashtë Kosovës.
Me një fjalë, baca Aqif është ndër atdhetarët më të devotshëm, një figurë e ndritur që me guximin, heshtjen dhe modestinë e tij ka qenë dhe ka mbetur shembull frymëzimi për brezat e rinj. Si njeri, është i afërt, i dashur dhe i respektuar nga të gjithë. Edhe sot jeton në Gjilan, krenar e ballëlartë, duke gëzuar respektin e të gjithë atyre që e njohin./rajonipress/



