ARKATANA

Nazim Hajdari, farmacisti i shquar dhe edukatori i përkushtuar që la gjurmë në shumë breza

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Nazim Hajdari është një nga emrat më të respektuar të farmacisë në Gjilan, një profesionist i formuar me disiplinë, përkushtim dhe etikë të lartë, i cili për dekada u ka shërbyer qytetarëve me dije, përgjegjësi dhe zemër të madhe. Kontributi i tij nuk kufizohet vetëm në shërbimin farmaceutik, ai shtrihet edhe në mbështetje financiare, edukim dhe përkushtim të palëkundur ndaj komunitetit, sidomos gjatë viteve të vështira të okupimit.

Nëse rastisni të shihni në qendër të Gjilanit një burrë që ecën me elegancë, me kostum pedant dhe kravatë të rregulluar me kujdes, dijeni se është farmacisti i nderuar dhe intelektuali i qytetit, prof. Nazim Hajdari, njeriu që ndërtoi një urë të rëndësishme mes dijes profesionale dhe shërbimit njerëzor.

Zhvillimi i farmacisë në Anamoravë mban vulën e tij. Si profesionist, ekspert dhe studiues i përkushtuar, Hajdari ngriti standarde të reja në shërbim dhe krijoi modele të admirueshme për brezat që erdhën pas tij.

Gjatë viteve të okupimit, kur arsimi shqip ndodhej nën trysninë më të rëndë, ai kontribuoi pa hezitim, duke mbështetur shkollat me pajisje, mjete financiare dhe duke qëndruar pranë nxënësve, mësuesve e komunitetit. Në periudhën 1995 – 1999, roli i tij ishte i pazëvendësueshëm në mbajtjen gjallë të procesit edukativ.

KKVITI

Për këto sakrifica dhe përkushtim, Shkolla e Mjekësisë në Gjilan e ka nderuar me mirënjohje të veçantë, duke e vlerësuar si një shtyllë të rëndësishme të ruajtjes së arsimit dhe dijes në kohë krize.

Në një prononcim për rajonipress, Hajdari reflekton me modesti e krenari: “Gjatë gjithë jetës sime arsimore kam dhënë gjithçka që kam pasur dije, mund, djersë e zemër për edukimin e brezave të rinj. Jam krenar për sakrificën tonë, sepse vetëm kështu e kemi mbajtur gjallë rininë dhe vlerën e dashurisë për atdheun tonë, Kosovën e bekuar.”

Nazim Hajdari vazhdon të mbetet një figurë e respektuar, një profesionist që i dha vendit dije, rini që u rritën falë tij dhe një trashëgimi që do të kujtohet gjatë./rajonipress/